Ukraina sulmon sërish rafinerinë e naftës pranë Shën Petërburgut

Një nga rafineritë më të mëdha të naftës në veriperëndim të Rusisë, pranë qytetit të Shën Petërburgut u përfshi nga zjarri pas një sulmi të ri me dronë nga Ukraina, konfirmoi sot guvernatori i rajonit.

“Zjarri në zonën industriale të qytetit Kirishi u fik më vonë”, shkroi guvernatori i Leningradit, Alexander Drozdenko, në Telegram.

Mbrojtja ajrore rrëzoi shtatë dronë, sipas Drozdenkos. Video të sulmeve gjatë natës u publikuan gjithashtu nga përdorues të rrjeteve sociale.

Ky ishte sulmi i dytë ndaj rafinerisë në disa javë.

Kirishi, i vendosur 800 kilometra në veri të Ukrainës, është shtëpia e rafinerisë ”Kirishinefteorgsintez”, e njohur edhe si “Kinef”, e cila i përket kompanisë së naftës “Surgutneftegas”, të lidhur me Kremlinin.

Me një kapacitet përpunimi prej rreth 20 milionë tonë naftë në vit, ajo është një nga objektet më të mëdha të përpunimit të naftës në Rusi.

Dëmtime u shënuan edhe në rajonin jugor rus të Voronezhit.

Guvernatori Alexander Gusev raportoi dëmtime në çatinë dhe dritaret e një objekti industrial, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Ushtarakët rusë raportuan se rrëzuan 117 dronë ukrainas gjatë natës.