Orban: Hungaria nuk dëshiron ta ketë fatin e Ukrainës

Kryeministri hungarez, Viktor Orban tha të premten se ai nuk e mbështet anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian.

“Hungarezët nuk duan që ukrainasit të jenë në Bashkimin Evropian. Edhe unë jam plotësisht dakord me këtë”, tha ai për transmetuesin shtetëror të vendit, raporton AP.

Orban, i cili shpesh ka bllokuar rrugën e Ukrainës drejt BE-së, u shpreh se fati i Ukrainës është të jetojë pranë Rusisë, një fat që Hungaria nuk dëshiron ta ndajë.

“Ne nuk duam një fat të përbashkët me ta. Fati i tyre është që të jetojnë pranë Rusisë dhe të jenë vazhdimisht në luftë me rusët. Nuk mund ta ndryshojmë këtë dhe nuk ndihmon nëse ne marrim mbi supe gjithçka nga çfarë vuajnë ata. Duam të shpëtojmë Hungarinë nga fakti që, nëse ukrainasit hyjnë në bllok, edhe ne do të jemi në luftë me rusët. E them përsëri: nëse je në të njëjtin sistem me një vend tjetër, dhe ai sulmohet, herët a vonë do të duhet të japësh ushtarë – dhe ne nuk e duam këtë. Nuk duam që të rinjtë tanë të vdesin për Ukrainën”.

Ai shtoi se nuk ka nevojë të merret me mendimet e vendeve të tjera anëtare të BE-së për anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës.

Ndërkohë që shumica e vendeve të BE-së kanë ofruar mbështetje politike, financiare dhe ushtarake për Kievin që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022, Hungaria ka ndjekur një qasje krejt të ndryshme – duke refuzuar të dërgojë armë në Ukrainë apo të lejojë kalimin e tyre përmes territorit hungarez, duke kërkuar heqjen e sanksioneve dhe afrimin me Rusinë, si dhe duke pasur një qëndrim konfliktual ndaj Kievit dhe mbështetësve të tij në BE.

Në vend të anëtarësimit në BE, Orban propozoi një “marrëveshje strategjike” midis bllokut evropian dhe Ukrainës.

“Unë propozoj të nënshkruajmë një marrëveshje strategjike me ukrainasit për t’i ndihmuar. Na nevojitet një marrëveshje mes Bashkimit Evropian dhe ukrainasve. Një marrëveshje e tillë ekziston me britanikët dhe me turqit. Nuk është diçka e paprecedentë. Por le të mos i fusim në BE. Ne kemi të drejtë ta themi këtë, dhe pavarësisht se çfarë thonë të tjerët, ata nuk mund ta ndryshojnë mendimin tonë, sepse hungarezët, ashtu si çdo komb tjetër, kanë të drejtën të vendosin vetë”.

Ai tha se asgjë nuk do ta ndryshojë mendimin e tij për këtë çështje.