Arben Fetai me mesazh të prerë për Ali Ahmetin: “Kush nuk i ul të vetët në sofër, s’mund t’i thërrasë shqiptarët në besëlidhje”
Zëvendëskryeministri, Arben Fetai, ka lëshuar një deklaratë të drejtpërdrejtë dhe kritike në adresë të kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, lidhur me thirrjet për një të ashtuquajtur “besëlidhje shqiptare”.
Në një koment të fortë dhe me tone të qarta politike, Fetai vuri në dukje se mungesa e bashkimit brenda vetë liderëve shqiptarë e bën të pakuptimtë ftesën për një bashkim më të gjerë kombëtar,njofton TS.
“O Ali, kush nuk i ul të vetët në një sofër, nuk mund t’i thërrasë shqiptarët në besëlidhje. Dilni e na shisni patriotizëm dhe folklorizma, por mes vete s’flisni, as i jepni dorën njëri-tjetrit,” – deklaroi Fetai.
Ai ironizoi situatën aktuale, duke përmendur përçarjen e thellë mes liderëve politikë shqiptarë, konkretisht mes Taravarit dhe Selës, të cilët – sipas tij – as nuk hanë bashkë, as nuk i besojnë njëri-tjetrit.
“Dhe jo vetëm që s’i besoni njëri-tjetrit, por s’mund të shiheni as me sy nga urrejtja. Po çfarë besëlidhje e çfarë bakraçi!” – shtoi zëvendëskryeministri Fetai.
Deklarata vjen në një moment delikat politik, kur partitë shqiptare po pozicionohen për zgjedhjet e ardhshme dhe po përdorin retorikë për bashkim kombëtar, ndonëse në terren bashkëpunimi mungon edhe mes atyre që dikur ishin aleatë./TS