Bujar Osmani: Gjendje emergjente për papastërtinë në Çair – pastërtia, prioritet urgjent pas marrjes së mandatit

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, ka paralajmëruar masa të menjëhershme për përmirësimin e gjendjes higjienike në këtë komunë, duke e cilësuar situatën aktuale si alarmante.

Përmes një konferencë për shtyp, Osmani u zotua se menjëherë pas marrjes së mandatit do të shpallë gjendje emergjente për papastërtinë në Çair, si dhe do të formojë një shtab krize në bashkëpunim me komunën, institucionet arsimore, kompanitë private dhe bashkësitë fetare.

“Do të fillojmë me aksione masive pastrimi – do të lahen rrugët, do të rregullohen parqet dhe do të hiqet çdo mbeturinë. Kjo është një çështje shëndeti dhe e ardhmeje,” – deklaroi Osmani.

Ai theksoi se pastërtia e Çairit nuk është vetëm estetikë, por një çështje jetike për shëndetin publik dhe mirëqenien e banorëve, veçanërisht të fëmijëve dhe të moshuarve.

Fushata e tij, e fokusuar në sloganin #BashkëPërÇair dhe #TaBëjmëNdryshimin, synon ta shndërrojë Çairin në një komunë të pastër, dinjitoze dhe të sigurt për të gjithë qytetarët./TS