Bujar Osmani formon ndërmarrje publike komunale për higjienë “Çair i Pastër” me 120 punëtorë dhe mekanizim të plotë

Kandidati për kryetar të komunës së Çairit, Bujar Osmani, paralajmëroi formimin e një ndërmarrjeje publike komunale për higjienë brenda gjashtë ditëve të para pas marrjes së mandatit, si element kyç në strategjinë për përballjen me gjendjen alarmante të papastërtisë në të cilën ndodhet komuna.

“Do ta ndajmë Çairin në rajone, çdo ekip do të jetë përgjegjës për një lagje. Do të blihen cisterna për larjen dhe dezinfektimin e rrugëve, si dhe mekanizim i plotë si fshesa elektrike dhe mekanike,” theksoi Osmani.

Sipas tij, çështja e higjienës nuk është çështje e mbledhjes së pikëve në fushatën parazgjedhore, por është një çështje themelore për jetën dinjitoze të njerëzve.

“Krijimi i një ndërmarrjeje publike komunale për higjienë në Çair do t’u mundësojë qytetarëve që, kur të dalin nga shtëpitë në mëngjes, gjëja e parë që do të shohin të jenë punëtorët e higjienës komunale që kujdesen për një Çair të pastër,” tha Osmani.

Ai shtoi se në ndërmarrjen e re “Çair i Pastër” do të punësohen 120 persona, puna kryesore e të cilëve do të jetë mirëmbajtja e pastërtisë. Ndërmarrja, gjithashtu, do të kujdeset për higjienën dhe ruajtjen e objekteve fetare dhe historike në komunë.

“Përgjegjësinë për të siguruar një Çair të pastër e ndiej më shumë si mjek dhe si prind, sesa si kandidat për kryetar komune, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Dhe këtë po jua premtoj: se për disa muaj Çairin do ta bëjmë komunën më të pastër në qytetin e Shkupit,” përfundoi Osmani.