Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.9 ballë ka tronditur rajonin qendror të Filipineve, duke shkaktuar të paktën 60 viktima dhe dëme të konsiderueshme materiale.
Ngjarja tragjike ndodhi në orët e para të ditës, duke detyruar qindra banorë të dilnin me panik në rrugë, ndërsa zona të tëra mbetën pa energji elektrike.
Epiqendra e tërmetit ishte rreth 20 kilometra në verilindje të qytetit Bogo, një qytet bregdetar me rreth 90,000 banorë në provincën Cebu.
Autoritetet lokale konfirmojnë se vetëm në këtë zonë kanë humbur jetën të paktën 14 persona.
Sipas Institutit Filipinas të Vullkanologjisë dhe Sizmologjisë, tërmeti u shkaktua nga lëvizja e një thyerjeje lokale në një thellësi prej rreth 5 kilometrash. Ekipet e kërkim-shpëtimit janë ende në terren, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave pritet të rritet.
Në qytetin Medellin, afër Bogos, të paktën 12 persona humbën jetën si pasojë e shembjes së mureve dhe tavaneve të shtëpive, shumë prej tyre në gjumë në momentin e lëkundjes. Shefja e zyrës së emergjencave, Gemma Villamor, konfirmoi se dëmet në këtë zonë janë të rënda.
Ndërkohë, në San Remigio, pesë persona të tjerë – përfshirë tre pjesëtarë të rojës bregdetare, një zjarrfikës dhe një fëmijë – humbën jetën teksa po përpiqeshin të largoheshin nga një ndeshje basketbolli kur u rrëzuan muret.
Guvernatorja e Cebu, Pamela Baricuatro, paralajmëroi se përmasat e vërteta të tragjedisë do të kuptohen vetëm me zbardhjen e ditës, duke shtuar se situata mund të jetë më e rëndë nga sa mendohet.
Dëmet janë të shumta edhe në ndërtesa të njohura dhe biznese lokale. Një kishë katolike historike në qytetin Daanbantayan është dëmtuar rëndë, ndërsa rrugët në disa zona janë çarë nga fuqia e lëkundjes.
Instituti i Vullkanologjisë lëshoi përkohësisht një paralajmërim për cunami për provincën Cebu dhe zonat përreth, por më vonë ai u tërhoq pasi nuk u vërejtën valë të pazakonta.
Tërmeti ndodhi ndërsa rajoni ishte ende në proces rikuperimi pas një stuhie të fortë që goditi javën e kaluar Filipinet Qendrore, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 27 personave dhe dëme të mëdha në infrastrukturë.
Filipinet ndodhen në të ashtuquajturin “Unaza e Zjarrit” të Paqësorit, një zonë me aktivitet të lartë sizmik dhe vullkanik. Vendi përballet çdo vit me rreth 20 tajfune dhe stuhi tropikale, duke e bërë një nga shtetet më të ekspozuara ndaj katastrofave natyrore në botë.