AKI: Çairi në kaos, plehrat nëpër rrugë – 500 mijë euro në muaj shkojnë për militantët e Izetit

Aleanca Kombëtare për Integrim ka reaguar sot me tone të ashpra ndaj asaj që e quan një prej skandaleve më të mëdha të shpërdorimit të buxhetit komunal në historinë e Çairit. Në një konferencë për media, përfaqësuesi i kësaj force politike, Bekim Berisha, denoncoi se Komuna e Çairit, nën drejtimin e Izet Mexhitit dhe koalicionit VLEN, ka shpërndarë 720 kontrata për militantë partiakë, të cilat i kushtojnë qytetarëve deri në 500 mijë euro në muaj.

Berisha theksoi se këto kontrata nuk kanë të bëjnë me interesin publik apo me funksionimin normal të komunës, por janë një mekanizëm i pastër për të financuar fushatën e VLEN-it.

“Ndërkohë që Çairi është i mbuluar nga mbeturinat, i zhytur në kaos dhe i harruar nga investimet e vërteta, gjysmë milioni euro të qytetarëve shpenzohen çdo muaj për aktivitete partiake”, deklaroi ai.

Përfaqësuesi i Aleancës Kombëtare për Integrim ftoi Komisionin Shtetëror për Antikorrupsion dhe Prokurorinë Publike të hapin menjëherë hetim mbi këto kontrata.

“Qytetarët kanë të drejtë të dinë se ku shkojnë paratë e tyre. Transparenca është e domosdoshme”, tha Berisha.
Berisha sfidoi publikisht Izet Mexhitin që të tregojë të paktën 10 emra nga lista e kontratave, vendet e tyre të punës, dhe punën konkrete që kanë kryer gjatë kësaj periudhe të fushatës.

“Nëse nuk ka përgjigje, është e qartë se këto kontrata janë vetëm mjet për të blerë mbështetje politike me paratë e qytetarëve. Më 20 tetor, një ditë pas fitores së madhe të dr. Bujar Osmanit, të gjitha këto kontrata do të revidohen një për një. Vetëm ata që realisht punojnë dhe kontribuojnë për komunën do të kenë vendin e tyre të merituar. Paratë e qytetarëve nuk do të shkojnë më për militantë partiakë, por për projekte konkrete – për pastërti, shkolla, zhvillim dhe një jetë më cilësore në Çair”.