Shqiptarët nuk pensionohen me dekret të Mickovskit

Urim Saliu- Tetovasot

Një ditë nacionalizmi i kryeministrit do të shterret. Një ditë edhe vetë maqedonasit nuk do ta votojnë më vetëm sepse ai e ka shënjestër shqiptarin dhe ushqen krenarinë e rreme të një kombi. Atëherë, Mickovski do të mbetet i vetëm, sepse ai e di mirë që shumicën e shqiptarëve nuk i ka me vete.
Thirrjet e tij sot i ngjajnë përrallës së shtatë vëllezërve: sa kohë ishin bashkë, kënga e tyre dëgjohej larg; por kur mbetën vetëm, zëri iu tret në erë dhe përfunduan në vetminë e madhe.
Mickovski nuk e do as BDI-në e asnjë parti tjetër shqiptare. Por, duke e ditur se nuk mund të qeverisë i vetëm, ai preferon ata që i kontrollon. Ai mendon se shqiptarët reduktohen në disa liderë që ai synon t’i pensionojë. Por shqiptarët janë shumë më tepër se kaq. Ata janë forca reale e vendit, e cila një ditë do t’ia tregojë fuqinë e saj.
Sot, Mickovski bën çfarë të dojë sepse mbulohet pas zëdhënësve të tij shqiptarë. Përmes tyre, ai legjitimon politikën e mohimit dhe të shuarjes së të drejtave. Por historia dëshmon se një popull të cilit i merret dinjiteti, një ditë zgjohet dhe kërkon të drejtat që iu rrëmbyen.
Maqedonia e Veriut është shtet multietnik. Brenda saj, shqiptarët nuk janë vetëm numra, por një forcë serioze që do ta mposhtë këtë politikë të keqe të një kryeministri që i ngatërron shqiptarët me VLEN-in. Ai nuk e kupton ende se shumicën e shqiptarëve e ka përballë, madje edhe shumë mbështetës të vetë VLEN-it që nuk durojnë më nënçmimin.
Dhe kur të vijë ajo ditë, Mickovski do ta kuptojë se kush në fakt do të shkojë në pension – ai vetë, apo një lider shqiptar për të cilin ai bie e zgjohet me ëndrrën ta fundosë. Sepse Mickovski mund të rrëzojë një lider shqiptar, por nuk mund të ndalojë ngritjen e qindra të tjerëve.