Defaktorizimi i identitetit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut: Një krizë e heshtur në prag të rikonfigurimeve të mëdha

Analisti: Qani Shabani

Në kohën kur Maqedonia e Veriut po përjeton një fazë të re të konsolidimit të një diskursi politik unitarist dhe të përqendrimit të pushtetit në strukturat maqedonase, spektri politik shqiptar përballet me një krizë të thellë legjitimiteti, dhe identitetit politik. Ajo që dikur quhej përfaqësim i një subjekti kolektiv me aspirata shtetformuese, sot është degraduar në një sërë aktorësh të shpërndarë, pa vizion të përbashkët, pa bosht ideor dhe pa aftësi për të ndikuar realisht në zhvillimet politike dhe institucionale të vendit.

Në vend të një politike që ngrihet mbi parime, kemi një përditshmëri të shënuar nga narativa improvizuese, dilentantizëm i thelluar, klientelizëm i institucionalizuar dhe një paaftësi kronike për të prodhuar mekanizma autonomë të përfaqësimit. Klasa politike shqiptare, e përfshirë në një cikël të pafund fragmentimesh, riciklimi dhe pseudo-riformash, duket se ka pranuar një pozitë periferike, duke u kthyer në vegël të balancave të brendshme të sistemit, në vend të një force që kërkon ndryshim të tij.

Përmes një procesi sistematik dhe të koordinuar, elitat maqedonase kanë arritur të ndërtojnë një homogjenitet politik në qendër, që nga njëra anë synon “stabilitetin” formal të shtetit, dhe nga ana tjetër, faktikisht defaktorizon dimensionin politik të shqiptarëve si faktor kushtetues dhe historik. Ky projekt është i shtrirë në kohë dhe ka përfituar nga vakumi i thellë ideor i spektrit shqiptar, i cili më shumë se çdo herë tjetër po shfaqet si homo duplex — një entitet që flet për dinjitet e barazi në retorikë, por që në praktikë është i dorëzuar përballë skemave të klientelizmit klasik.

Ndërkohë që Maqedonia e Veriut përgatitet për një rikonfigurim të ri politik pas zgjedhjeve të 19 tetorit, ajo që bie në sy nuk është vetëm dobësia e aktorëve shqiptarë, por edhe mungesa e një narative të bashkërenduar politike dhe institucionale. Ky boshllëk është zëvendësuar me silueta politike të përkohshme, me agjendë të mjegullt, pa strategji afatgjate dhe pa ndonjë lidhje reale me interesin kombëtar të shqiptarëve. Çdo aktor i ri në këtë skenë, në vend që të sfidojë sistemin, duket se shfaqet për ta imituar dhe për t’u integruar në të — një shfaqje e qartë e një përdhosjeje të heshtur të identitetit politik shqiptar në këtë hapësirë.

Saga shqiptare në Maqedoninë e Veriut është kthyer në një histori të përhershme të përkuljes institucionale dhe të kapjes së mekanizmave të përfaqësimit nga agjendat afatshkurtra, shpeshherë të ndikuara nga agjendat e jashtme pro-lindore ose antiperëndimore, që e shohin shqiptarësinë si pengesë, dhe jo si partner në shtetformim. Mungesa e një elite me vizion, që të dalë nga logjika e menaxhimit të krizave të përditshme dhe të krijojë një strategji të qëndrueshme për shqiptarët në këtë vend, është kthyer në rrezik kombëtar.

Në këtë kontekst, alarmi duhet të jetë i përgjithshëm. Nuk është më fjala për zgjedhje të radhës apo për pozicionim partiak — por për ekzistencën e një identiteti politik që po hollohet, relativizohet dhe në fund zhduket nga qendra e gravitetit të shtetit. Mbi gjithçka që ndodh, është e qartë se defaktorizimi i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut nuk është një pasojë — është një projekt.