Shekerinska nga Sarajeva: Rritje e retorikës së rrezikshme dhe përpjekje për të minuar rendin kushtetues në BeH

Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, gjatë Konferencës së Sigurisë në Sarajevë paralajmëroi se Bosnja dhe Hercegovina (BiH) përballet me sfida serioze të sigurisë.

“Aktualisht po përballemi me rritje të retorikës së rrezikshme dhe konflikteve politike. Ekzistojnë kërcënime të vazhdueshme për secesion, veprime nxitëse dhe përpjekje për të minuar rendin kushtetues dhe sundimin e ligjit”, theksoi Shekerinska, sipas njoftimit të ekipit të marrëdhënieve me publikun të konferencës.

Ajo vlerësoi se këto janë “veprime të rrezikshme që rrezikojnë të rrëzojnë paqen e fituar me shumë mund, të ngadalësojnë progresin reformues dhe të kthejnë vendin në një të kaluar të ndarë”.

“Kujt do t’i leverdiste kjo? Vetëm atyre që duan të shkatërrojnë lirinë dhe sigurinë tonë përmes destabilizimit. Qytetarët e BiH nuk e duan këtë – ata duan institucione funksionale, sundim të barabartë të ligjit, vende të qëndrueshme pune dhe një të ardhme paqësore”, shtoi Shekerinska.

Ajo theksoi se për këtë nevojitet vullnet politik dhe guxim për të ecur përpara, edhe kur rruga është e vështirë, duke nënvizuar se liderët duhet të zgjedhin paqen dhe prosperitetin, jo ndarjet dhe konfliktet.

Konferenca e Sigurisë në Sarajevë, e cila përfundoi sot, u mbajt me pjesëmarrjen e më shumë se 200 përfaqësuesve nga 20 vende – diplomatëve, përfaqësuesve ushtarakë, ekspertëve të sigurisë ndërkombëtare, përfaqësuesve të NATO-s, akademikëve, liderëve të shoqërisë civile dhe analistëve.

Temat e diskutuara përfshinë: materialet kritike dhe rreziqet energjetike, ndikimet e huaja në rajon, drejtësinë tranzicionale, të ardhmen e marrëdhënieve transatlantike, dilemat e sigurisë Lindje–Perëndim, si dhe zhvillimin e shpejtë të teknologjive të reja, përfshirë inteligjencën artificiale dhe kërcënimet kibernetike.