Nuhiu flet pas largimit nga Gjilani: nuk arrita të transmetoj plotësisht atë që dëshiroja

Ardian Nuhiu është larguar nga Gjilani pas më shumë se një viti qëndrim te klubi bardhekuq.

Trajneri shkupjan ka drejtuar Gjilanin në 41 ndeshje zyrtare, teksa ka pasur një mesatare prej 1,34 pikëve për ndeshje.

Dy humbjet e fundit nga Drenica dhe Llapi kanë qenë fatale për të ardhmen e Nuhiut te ‘Skifterat’.

Pas largimit nga klubi, Nuhiu ka falënderuar drejtuesit e Gjilanit, futbollistët, stafin mjekësor e ekonomë, por edhe tifozët për mbështetjen dhe besimin.

Nuhiu ka thënë ndër të tjera se ka marrë vendimin për dorëheqje nga respekti i madh që ka për klubin.

“Si njeri që e kam bazuar gjithmonë karrierën time mbi parime dhe vlera, kam vendosur të përfundoj kontratën time. Kam dhënë maksimumin tim në çdo moment bashkë me stafin dhe skuadrën kemi punuar me përkushtim të plotë, por në disa raste ka munguar edhe fati sportiv”.