Shkruan: Merxhan Jakupi
Deri në fund të vitit 1947, Jugosllavia kishte ndjekur diskursin e ekonomisë politike sipas doktrinës së Stalinit, ekonominë centraliste, kolektivizimin, uzurpimin e pronave dhe të tokave.
Në katundet e Malësisë së Sharrit, në zonat kufitare mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë, konfiskimi dhe uzurpimi i tokave dhe i bagëtive edhe më e shtoi varfërinë dhe urinë e këtyre banorëve të malësisë së Sharrit.
Në atë periudhë qarkullonin lloj-lloj thëniesh: “Dy qingja për Marshallin e një qingj për qehanë. Tre okë shinik për hyqymetin e një okë për qehanë”.
Përveç uzurpimeve dhe kolektivizimit, filluan edhe represalje të tjera: heqja e shamisë dhe e ferexhesë. Për fat, nëpër katunde nuk kishte mure, shumica e oborreve ishin të rrethuara me gardhe. Po ashtu, në fshatrat e Malësisë së Sharrit, gratë nuk bartnin perçe si në vendet urbane. Shumica e grave nëpër katunde dhe lagje mbuloheshin me një vel (çarshaf) mbi krahë dhe shpinë.
Lajmi për kthimin e pronave, tokave dhe bagëtive kishte arritur edhe në katundet e Malësisë së Sharrit. Pas ndarjes nga Moska, Jugosllavia do të kishte një ekonomi më liberale: iniciativë private dhe vetëqeverisje. Ky lajm, nga njëra anë, kishte ngazëllyer dhe entuziazmuar banorët, ndërsa nga ana tjetër, ndarja mes Titos dhe Enverit, vendosja e “perdes së hekurt” dhe minimi i fushave në kufirin shqiptaro-shqiptar ishte fatkeqësi dhe tragjedi për banorët e këtyre katundeve të Sharrit.
Në aksin rrugor mes Tetovës dhe Prizrenit, para katundit, gjendej një urë me dy harqe. Në këtë urë kishin kaluar bizantinët, osmanët, jeniçerët, kaçakët, xhandarët, partizanët dhe ballistët. Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, në harqet e urës shpeshherë ishin shkruar parulla e slogane. Disa parulla ishin fshirë, por akoma dukeshin gjurmët.
Ishte një parullë që mezi lexohej në gjuhën serbokroate: “Hoçemo kralja – neçemo Tita” (E duam Krajlin, nuk e duam Titon). Në harkun tjetër, po ashtu e fshirë, mund të deshifroheshin germat: “Rroftë TITO, Stalini dhe Enver Hoxha”.
Ndërkaq, pas karvaneve të ngarkuara me armë dhe municion, si dhe të eprorëve ushtarakë që shkonin drejt brezit kufitar, ishte shkruar një tjetër parullë në një shkëmb: “Vdekje Stalinit, poshtë Enver Hoxha”.
ARATISJA NGA DY ANËT E KUFIRIT
Pas Rezolutës së Informbirosë, Enver Hoxha kishte kaluar në anën e Stalinit, që do të thoshte se dy “prijësit” komunistë, Tito dhe Enveri, ishin shndërruar në armiq të përbindshëm. Situata mes Tiranës dhe Beogradit ishte acaruar dhe kishte eskaluar. Nga Radio Tirana dhe Radio Beogradi vazhdonin sulmet, akuzat, intrigat dhe etiketimet, deri edhe në fyerje banale.
Nga një katund i zonës kufitare, duke ikur nga represaljet dhe dhuna, ishte vrarë nga ushtarët jugosllavë një mësues. Po ashtu, dy shtetas shqiptarë ishin arratisur nga Shqipëria. Ushtarët i kishin sjellë ata në katund, tek shkolla, e cila para luftës kishte qenë stacion i xhandarmarisë serbe.
Ata dukeshin të lodhur dhe të zbehur. Njëri nga ushtarët tha se dyshohej se ishin spiunë dhe agjitatorë.
Në mëngjes, protogjeri i fshatit, me zë të lartë, thirri si telall tek “Sokaku i Lurëve”, “Çukthi” dhe “ Gjuri i katundit”: “O katundar! O milet! Sot pasdite do të mbahet konferencë në shkollë”.
Para se të fillonte mbledhja, ishin ndarë disa librezë të kuqe për anëtarët e rinj të Partisë Komuniste Jugosllave. Dy ish-partizanë, të cilët në Tivar kishin shpëtuar nga aksidenti i zjarreve në kazermë , ku një pjesë ishin helmuar dhe kishin mbetur të vdekur, ishin të pranishëm. Në hyrje të korridorit të shkollës ishin vetëm fotot e Titos dhe Leninit. Një veteran tha: “Fotot e Stalinit dhe të Enverit i paskan hequr”.
Në sallë ishte kryetari i degës. Ish-partizani Memet Laçi, duke u kollitur, tha: “Eh, ç’më duhet mua librezë, pasi unë jam para vdekjes”. Kryetari i degës, i inatosur, tha: “Ju doni të shkelni mbi gjakun e dëshmorëve tanë. Një ditë do ta paguani shumë shtrenjtë dhe do të bëheni pishman”.
Nga ky katund, mëse tetë djem ishin vrarë në frontin e Sremit, ndërsa katër kishin vdekur në Tivar, nga aksidenti në kazermat e atjeshme.
Imami i katundit i kishte thënë Çaushit, kur kishin ardhur nga rrafshi ish-komisarë për t’ua ndarë familjeve të dëshmorëve nga një mirënjohje dhe një certifikatë: “Çaush, po të bëj be në Zot, Pejgamber, në din dhe iman, le ta dimë vetëm unë, ti dhe Zoti. Në Tivar janë helmuar mijëra djem shqiptarë nga komunistët”.
Në mbledhje kishin ardhur edhe përfaqësues nga Komiteti Krahinor. Sekretari i komitetit e mori fjalën: “Jemi të rrethuar nga armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm. Por duhet ta dimë se armiku i brendshëm është shumë më i rrezikshëm se i jashtmi. Siç e dini, në kufi janë vrarë disa ushtarë dhe janë plagosur nga ushtarë të Shqipërisë, më mirë me thënë nga sovjetikët dhe nga Stalini. Shoku Tito dhe partia jonë nuk jemi kundër popullit shqiptar, por jemi kundër Stalinit dhe Enverit. Rrezikun nuk e kemi më si më parë nga imperialistët, por nga Stalini dhe pinjollët e tij, siç është Enver Hoxha”.
Në fund tha: “Rroftë vëllazërim-bashkimi! Rroftë Marshall Tito! Vdekje Enver Hoxhës dhe Stalinit!”.
Në sallë kishin sjellë një invalid, veteran lufte, që kishte humbur të dy këmbët. Ishte edhe një ish-partizan që e thërrisnin “Kalemxhiu”, sepse shpesh merrte rolin e avokatit në katund.
Qemal Kalemxhiu mori me dy krahë invalidin e luftës që kishte humbur këmbët dhe e ngriti: “Ja, ky është tempulli im!”. “Ne dolëm në luftë për kauzën dhe aspiratat e lirisë. Mes dy kufijve shqiptaro-shqiptar janë vendosur gjemba dhe mina. Janë ndarë familjet. Janë duke u vrarënë të dy anët e kufirit. Njerëzit që arratisen i vrasin si lepuj, në të dyja anët e kufirit. Kjo nuk ka ndodhur as për pesëqind vjet gjatë periudhës së Dovletit, dhe as të Krajlit!”, tha ai.
Njëri nga salla tha: “Mbylle, more bastard!. Kurse tjetri tha: “Ka luajtur mendsh!”
Dy policë e nxorën nga salla. Ndërsa një burrë i ulur pas, tha: “Nuk u mor vesh se për cilin thanë ‘Poshtë!’, ‘Vdekje!’ e ‘Rroftë!’, për tanët, ose të kaurëve?”.
Sign in
Sign in
Recover your password.
A password will be e-mailed to you.
Trending
- “VLEN me numër 7, AKI me 4 – U hodh shorti për zgjedhjet lokale”
- Dimitrieska-Koçoska në shënimin e 24-vjetorit të themelimit të Regjistrit Qendror
- Gjermania me thirrje për krijimin e institucioneve: Çdo vonesë rrezikon investimet dhe ekonominë
- Berisha publikon foton e Vangjush Dakos nga burgu: Trajtim special, me celular në dorë
- Osman Kadriu: Ligji i gjuhëve do të shqyrtohet pas zgjedhjeve lokale
- Ambasada gjermane: Radoiçiq ende i lirë në Serbi, pandëshkueshmëria e përgjegjësve e papranueshme
- Aksident në Tetovë – Fëmijë i goditur nga vetura ndërsa kalonte në vijat e bardha me trotinet
- Kosova kërkon që Serbia t’i dorëzojë të akuzuarit për Banjskën në dyvjetorin e vrasjes së Bunjakut
- Veles – Kallëzim penal ndaj policit për kërcënim të pronarit të servisit
- Mickoski: Disa prokurorë “spiunojnë” në Bruksel se Qeveria nuk ua rrit pagat