Myfti i Madh i Arabisë Saudite dhe Kryetari i Këshillit të Dijetarëve të Lartë, Shejh Abdulaziz Al-Sheikh, ka ndërruar jetë të martën në mëngjes në Riad, ka njoftuar Oborri Mbretëror në një deklaratë. Ai ishte 82 vjeç.
Namazi i xhenazes për të do të falet në xhaminë Imam Turki bin Abdullah në Riad pas namazit të ikindisë të martën.
Kustodiani i Dy Xhamive të Shenjta, Mbreti Salman, ka urdhëruar që namazi i xhenazes në mungesë të falet gjithashtu në Xhaminë e Madhe në Mekë, në Xhaminë e Profetit në Medinë, si dhe në të gjitha xhamitë në të gjithë Mbretërinë, trasnmeton TS.
Mbreti dhe Princi i Kurorës, Kryeministri Mohammed bin Salman, kanë shprehur ngushëllimet e tyre për familjen e tij, popullin saudit dhe botën islame.
“Me ndarjen nga jeta të Shejh Al-Sheikh, Arabia Saudite dhe bota islame kanë humbur një dijetar të shquar që dha kontribute të mëdha në shërbim të Islamit dhe myslimanëve,” thuhet në deklaratën e Oborrit Mbretëror.
Shejh Al-Sheikh ishte kreu i Drejtorisë së Përgjithshme për Kërkime dhe Fetva Islame si dhe i Këshillit Suprem të Lidhjes Islame Botërore, dhe njihej si një dijetar islam botëror. Në qershor të vitit 1999, Mbreti Fahd e emëroi atë si Myftiu i Madh i Arabisë Saudite, pas vdekjes së Shejh Abdulaziz Ibn Baz.
I lindur më 30 nëntor 1943 në Mekë, Shejh Al-Sheikh e mësoi përmendësh Kur’anin në moshë të vogël. Ai e humbi shikimin në moshën 17-vjeçare. Në vitin 1961, ai iu bashkua Kolegjit të Sheriatit në Universitetin Islamik Imam Muhammad bin Saud në Riad, nga ku u diplomua në vitin 1965, me specializim në gjuhën arabe dhe Sheriatin Islam.
Në të njëjtin vit, ai u emërua mësues në Institutin e Dijetarëve Imam al-Dawa në Riad, ku shërbeu për tetë vite para se të transferohej në Kolegjin e Sheriatit në të njëjtin universitet, ku punoi si profesor asistent dhe më pas si profesor i asociuar. Ai gjithashtu dha mësim në Institutin e Lartë të Gjyqësorit në Riad dhe ishte anëtar i disa këshillave akademikë në universitetet saudite.
Shejh Al-Sheikh shërbeu si imam dhe hatib në Xhaminë e Shejh Muhammad bin Ibrahim në Dakhnah, Riad, dhe më pas si imam i namazit të xhumasë në Xhaminë e Shejh Abdullah bin Abdullatif, përpara se të bëhej imam në Xhaminë Imam Turki bin Abdullah.
Në vitin 1982, u emërua imam dhe hatib në Xhaminë Namirah në Arafat, ku mbajti hutben e Arafatit për 33 vite radhazi deri në vitin 2014.
Në vitin 1987, ai u emërua anëtar i Këshillit të Dijetarëve të Lartë. Në vitin 1991, u bë anëtar me kohë të plotë i Komitetit të Përhershëm për Kërkime dhe Fetva. Në vitin 1995, u emërua Zëvendës Myfti i Madh i Arabisë Saudite.
Më 14 maj 1999, pas vdekjes së Shejh Abdulaziz Ibn Baz, u emërua Myfti i Madh i Mbretërisë, kryetar i Këshillit të Dijetarëve të Lartë dhe Drejtor i Përgjithshëm i Kërkimeve Islame dhe Fetvave, me gradë ministri./TS