Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, u shpreh i entuziazmuar pas paraqitjes së shkëlqyer të klubit katalanas në galanë e Topit të Artë, ku futbollistët e tij rrëmbyen disa prej çmimeve kryesore.
Lamine Yamal, i renditur i dyti pas Ousmane Dembélé për Topin e Artë, fitoi trofeun Kopa për lojtarin më të mirë nën 21 vjeç, një sukses që e shënon për të dytin vit radhazi.
Laporta tha se klubi katalanas kishte shpresa që Yamal do të mund ta fitonte Topin e Artë këtë vit, por që nuk ndodhi.
“Është e jashtëzakonshme që Lamine fitoi një trofe të dytë Kopa, diçka që askush nuk e ka bërë më parë. Jam i bindur se ky çmim do ta motivojë për të arritur synimin e madh, Topin e Artë. Kishim shpresa edhe këtë vit, por nuk ndodhi. Sa trofe do të fitojë ai në të ardhmen? Vetëm koha do ta tregojë,” deklaroi Laporta.
Kreu i klubit katalanas nuk harroi të vlerësojë edhe Aitana Bonmatí, e cila fitoi për të tretin vit radhazi Topin e Artë për femra.
“Jam shumë i lumtur për Aitanën. Ajo e meriton plotësisht dhe mbajti një fjalim të shkëlqyer, duke prekur familjen, Barcelonën dhe barazinë,” u shpreh ai.
Laporta falënderoi gjithashtu trajnerin Hansi Flick për punën me ekipin dhe theksoi se objektivi i Barcelonës mbetet i pandryshuar: “Duhet të punojmë, të punojmë dhe të punojmë. Vetëm kështu do të mund të vazhdojmë të luftojmë për tituj.”