BE paralajmëron Izraelin se aneksimi i Bregut Perëndimor do të sjellë sanksione

Komisioni Evropian mund të vendosë masa të reja kundër Izraelit nëse ky i fundit i përgjigjet njohjes ndërkombëtare të Palestinës duke aneksuar Bregun Perëndimor, raportoi gazeta Washington Post , duke cituar një zyrtar të lartë evropian.

Bregu Perëndimor, i pushtuar nga Izraeli që nga viti 1967, është pjesërisht nën kontrollin e Autoritetit Palestinez, por mbetet nën kontrollin e sigurisë izraelite, me më shumë se 140 vendbanime të konsideruara të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.

Zyrtari vuri në dukje se midis opsioneve që po merren në konsideratë janë kufizimet në eksportet nga vendbanimet.

“Nëse Izraeli është mizor, edhe ne do të jemi mizorë; nëse përgjigjet butësisht, edhe ne do të jemi të butë”, shtoi ai.

Paralajmërimi vjen pas deklaratës së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu se “nuk do të krijohet një shtet palestinez”, ndërsa më shumë vende përgatiten për njohje në një samit në Nju Jork, të organizuar nga Franca dhe Arabia Saudite së bashku me Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Në Izrael, ministrat e ekstremit të djathtë i kanë kërkuar Netanyahut të vazhdojë me aneksimin. Ministri i Financave Bezalel Smotrich e quajti atë “përgjigje të vetme ndaj këtij veprimi anti-Izrael”, duke bërë thirrje për një deklaratë sovraniteti mbi territorin.