Sonte mësohet fituesi i Topit të Artë: Ka dy favoritë dhe vetëm një njeri e di fituesin

Ceremonia e ndarjes së Topit të Artë 2025 do të zhvillohet sonte në Theatre du Chatelet në Paris, duke filluar nga ora 20:00. Emri i fituesit mbahet ende sekret dhe dihet vetëm nga një person.

Pas ceremonisë së vitit të kaluar, u vendos një rregull i ri: fituesi nuk njoftohet paraprakisht. Kryeredaktori i France Football, Vincent Garcia, ka thënë se ai është i vetmi që e njeh emrin e fituesit.

Në listën e kandidatëve janë 30 lojtarë, por favoritët kryesorë dallohen Ousmane Dembele (PSG) dhe Lamine Yamal (FC Barcelona).

Asi francez, që fitoi kurorën e trefishtë me PSG sezonin e kaluar, shihet ende me një avantazh të vogël.

Megjithatë, ka nga ata që besojnë se i riu Yamal do ta marrë çmimin falë formës së shkëlqyer me Barcelonën dhe kombëtaren spanjolle.

Trofeu këtë herë jepet bazuar në performancat e një sezoni të plotë, jo më sipas vitit kalendarik. Elementët kolektivë dhe trofetë janë në plan të dytë, përballë performancës individuale, talentit dhe sportivitetit.

Numri i votuesve është ngushtuar. Për meshkujt votojnë vetëm 100 gazetarë nga 100 kombet më të mira sipas renditjes së FIFA-s (nga 170 më parë), ndërsa për femrat janë 50 votues.

Ceremoninë do ta drejtojë Ronaldinho, i cili gjithashtu do të dorëzojë çmimin fituesit. Përveç Topit të Artë, do të ndahen edhe çmimet për portierin më të mirë, golashënuesin më të mirë dhe futbollistin më të mirë të ri.

Topi i Artë jepet që nga viti 1956. Lionel Messi e ka fituar plot tetë herë, rekord absolut, ndërsa Cristiano Ronaldo e ka marrë pesë herë.