Kanadaja njohu zyrtarisht shtetin e Palestinës sot, u njoftua në faqen e internetit të kryeministrit kanadez Mark Carney.
“Kanadaja njeh Shtetin e Palestinës dhe ofron një partneritet në ndërtimin e premtimit të një të ardhmeje paqësore si për Shtetin e Palestinës ashtu edhe për Shtetin e Izraelit. Kanadaja e bën këtë si pjesë të përpjekjeve të koordinuara ndërkombëtare për të ruajtur mundësinë e një zgjidhjeje me dy shtete”, thuhet në deklaratë, duke theksuar se njohja është në përputhje me parimet e vetëvendosjes dhe të drejtave themelore të njeriut në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe politikën kanadeze.
Deklarata thekson se njohja e Shtetit të Palestinës nën udhëheqjen e Autoritetit Palestinez fuqizon ata që mbështesin bashkëjetesën paqësore dhe “fundin e Hamasit”.
“Kjo në asnjë mënyrë nuk e legjitimon terrorizmin, as nuk e shpërblen atë. Për më tepër, kjo në asnjë mënyrë nuk kompromenton mbështetjen e palëkundur të Kanadasë për Shtetin e Izraelit, popullin e tij dhe sigurinë e tyre, e cila në fund të fundit mund të garantohet vetëm duke arritur një zgjidhje gjithëpërfshirëse me dy shtete”, thuhet në deklaratë.
Kujtohet se politika e çdo qeverie kanadeze që nga viti 1947 ka qenë të mbështesë një zgjidhje me dy shtete me qëllim arritjen e paqes së qëndrueshme në Lindjen e Mesme.