Mijëra filipinas protestojnë kundër korrupsionit: “Njerëzit vuajnë dhe mburren me pasurinë e tyre në mediat sociale”

Mijëra filipinas kanë protestuar në kryeqytetin Manila dhe në pjesë të tjera të vendit, duke kërkuar t’i jepet fund korrupsionit qeveritar lidhur me një skandal korrupsioni që përfshin ligjvënës, zyrtarë dhe biznesmenë të cilët dyshohet se kanë përvetësuar shuma të mëdha parash nga projektet e kontrollit të përmbytjeve.

“Ndërsa njerëzit vuajnë nga stuhitë dhe përmbytjet, disa nga ata që dyshohet se janë përfshirë në korrupsion në këto projekte po e shfaqin pasurinë e tyre në mediat sociale”, tha një nga udhëheqësit e protestës, Francis Aquino Dee, raportoi Bloomberg.

Autoritetet lokale thanë se më shumë se 70,000 qytetarë morën pjesë në protestën në Manila, raportoi portali filipinas Rappler.

Studentë, udhëheqës të kishave, organizata militante dhe disa ligjvënës morën pjesë në demonstrata.

Presidenti filipinas, Ferdinand Marcos, tha se i mbështet protestat, por paralajmëroi se autoritetet do të reagojnë nëse demonstratat do të shndërrohen në të dhunshme.

Presidenti filipinas këtë muaj formoi një organ të pavarur për të përcaktuar se sa para dyshohet se janë vjedhur nga thesari i shtetit për projekte të kontrollit të përmbytjeve.

Qindra llogari bankare të lidhura me këto projekte janë ngrirë dhe një i afërm i Presidentit Marcos dha dorëheqjen si kryetar i dhomës së ulët të parlamentit për shkak të akuzave se ishte i lidhur me projekte të prekura nga korrupsioni, duke mohuar çdo shkelje.