Netanyahu: Krijimi i një shteti palestinez rrezikon ekzistencën e Izraelit

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu sot deklaroi se krijimi i një shteti palestinez rrezikon ekzistencën e Izraelit dhe premtoi se do të luftojë kundër thirrjeve të tilla para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

“Duhet të luftojmë në OKB dhe në të gjitha arenat e tjera kundër propagandës së rreme kundër nesh dhe kundër thirrjes për krijimin e një shteti palestinez që do të rrezikonte ekzistencën tonë dhe do të përbënte një shpërblim absurd për terrorizmin,” tha kryeministri izraelit para një takimi të qeverisë së tij.

Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Australia sot njoftuan se kanë marrë vendim për njohjen formale të Palestinës si një shtet sovran, vendim të cilin e ndoqën Portugalia dhe disa vende të tjera.

Ministria izraelite e Punëve të Jashtme njoftoi se njohja e shtetësisë palestineze është “asgjë më shumë se një shpërblim për Hamasin xhihadist.”
– “Vetë udhëheqësit e Hamasit e thonë hapur: kjo njohje është rezultat direkt, ‘fruti’ i masakrës së 7 tetorit. Mos lejoni që ideologjia xhihadiste t’ju diktojë politikën,” njoftoi ministria në X, pa i përmendur explicit tre vendet.