Zhduket nga Muzeu i Kajros, byzylyku ​​i një faraoni

Një byzylyk ari është zhdukur nga laboratori i restaurimit të Muzeut të Kajros në Sheshin Tahrir, i cili për vite me radhë ka qenë në qendër të një transferimi të mundimshëm të artefakteve në Muzeun e Ri Egjiptian në Giza.

BBC e zbuloi këtë, duke cituar Ministrinë egjiptiane të Turizmit dhe Antikiteteve.
Byzylyku ​​i artë, që besohet të jetë rreth 3,000- vjeçar, është një rreth i thjeshtë i zbukuruar me një rruazë.

Zhdukja është raportuar te forcat e rendit dhe te Zyra e Prokurorit Publik, dhe një hetim është duke vazhduar.

Një imazh i byzylykut është shpërndarë në të gjitha aeroportet, portet detare dhe pikat kufitare tokësore në vend, “si një masë paraprake për të parandaluar përpjekjet e kontrabandës”, sipas një deklarate të postuar në Facebook.

Drejtori i përgjithshëm i muzeut sqaroi se disa foto të një byzylyku ​​që qarkullojnë në internet nuk përshkruanin objektin e zhdukur, por më tepër një tjetër që aktualisht është i ekspozuar në muze.

Byzylyku ​​i zhdukur i përkiste Mbretit Amenemope të Periudhës së Tretë të Ndërmjetme (rreth 1076–723 p.e.s.).

Sipas faqes së internetit të muzeut, Amenemope ishte “një sundimtar pak i njohur, por i përkiste Dinastisë së 21-të të Egjiptit “.

“Fillimisht i varrosur në një varr modest me një dhomë brenda nekropolit mbretëror të Tanis në deltën lindore të Nilit”, ai u zhvendos disa vite më vonë për t’u varrosur pranë Psusennes I, një nga mbretërit më të fuqishëm të periudhës.

Varri i tij u rizbulua në vitin 1940.

Të gjitha objektet e tjera në laboratorin e restaurimit, tani do të inventarizohen dhe analizohen nga një komision i specializuar, tha ministria.

Tregtia e paligjshme e objekteve të lashta egjiptiane ka qenë prej kohësh një shqetësim për vendin e Afrikës së Veriut.

Vitin e kaluar, autoritetet egjiptiane arrestuan dy burra për përpjekjen për të vjedhur qindra objekte të lashta nga shtrati i detit në Gjirin e Abu Qir, pranë Aleksandrisë, tha ministria në atë kohë.

Kur u morën në pyetje nga autoritetet, burrat pranuan se kishin rregulluar tashmë shitjen e objekteve.