Ofensiva që Izraeli e nisi në qytetin Gaza të martën, shkaktoi shpërngulje masive të mijëra palestinezëve. Ata po e lënë qytetin, i cili tashmë është në rrënoja nga pothuajse dy vjet luftë, nga ofensiva për shkak të së cilës çdo armëpushim i mundshëm me Hamasin duket gjithnjë e më i largët.
Ushtria e Izraelit nuk ofroi një afat kohor për kohëzgjatjen e ofensivës, duke thënë se qëllimi është shkatërrimi i grupit militant, ndërsa mediat izraelite sugjeruan se mund të zgjasë me muaj.
“Gaza po digjet”, deklaroi ministri i mbrojtjes i Izraelit, Izrael Kac, kur filloi operacioni. Bombardime të rënda goditën qytetin, dhe ushtarët filluan të lëviznin nga periferia pas disa javësh sulme ajrore dhe përgatitje për sulmin e ri tokësor.
Ndërkohë, punëtorët humanitarë zhvilluan një mision shpëtimi për të ruajtur mijëra artefakte të paçmueshme nga një magazinë në Gaza, para se ndërtesa të shndërrohej në gërmadha. Magazina përmbante artefakte nga më shumë se 25 vite gërmimesh, përfshirë objekte nga një manastir bizantin i shekullit IV, i shpallur trashëgimi botërore nga UNESCO, si dhe disa nga dëshmitë më të hershme të njohura për krishterimin në Gaza. Ushtria izraelite njoftoi se në ndërtesë ndodheshin instalime të inteligjencës së Hamasit dhe kishte planifikuar ta shkatërronte si pjesë e operacionit të zgjeruar ushtarak në qytetin Gaza.
Ofensiva filloi të njëjtën ditë kur ekspertë të pavarur të angazhuar nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut e akuzuan Izraelin për kryerje të gjenocidit në Gaza. Izraeli i hodhi poshtë akuzat, duke e quajtur raportin të shtrembëruar dhe të rremë.
Një grua, Saud al-Sakani, tha se vajza e saj, dhëndri dhe fëmijët e tyre u vranë në një sulm që e rrafshoi me tokën shtëpinë e tyre me rreth 40 persona brenda.
Gjatë një vizite të shkurtër në rajon, sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, paralajmëroi se ekziston “një periudhë shumë e shkurtër kohore” në të cilën mund të arrihet një marrëveshje për përfundimin e luftës.
Sulmi i ri nuk e pengoi dërgimin e një ftese tjetër nga SHBA për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu. Ai të martën deklaroi se presidenti Donald Trump e ka ftuar në Shtëpinë e Bardhë më 29 shtator, pasi lideri izraelit të mbajë fjalimin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Kjo do të jetë vizita e katërt e Netanjahut që nga marrja e detyrës nga Trump në janar.
Ndërkohë, një raketë e lëshuar nga rebelët Huthi në Jemen, të mbështetur nga Irani, aktivizoi sirenat për raketa në Jerusalem dhe Tel Aviv. Ushtria izraelite njoftoi se po punonte për ta interceptuar raketën, e cila u lëshua pasi Izraeli kreu sulme ajrore mbi qytetin port Hodeida në Jemen, që kontrollohet nga rebelët.
Huthit lëshojnë rregullisht dronë dhe raketa drejt Izraelit siç thonë ata, në shenjë solidariteti me palestinezët. Shumica dërrmuese e tyre janë interceptuar ose kanë rënë në hapësira të zbrazëta pa shkaktuar viktima apo dëme. Izraeli ka kryer disa valë sulmesh hakmarrëse mbi Jemen.