Netanyahu paralajmëron Hamasin: Nëse dëmtoni pengjet do ta paguani shtrenjtë!

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi Hamasin që të mos dëmtojë pengjet që mban ende në Rripin e Gazës.

“Nëse ata dëmtojnë qoftë edhe një fije floku të një pengu të vetëm, ne do t’i ndjekim deri në fund të jetës së tyre dhe ky fund do të vijë shumë më shpejt nga sa mendojnë ata”, tha Netanyahu gjatë një konference për shtyp.

Sipas njoftimeve nga mediat ndërkombëtare, Hamasi ka zhvendosur disa nga pengjet, të cilët më parë mbaheshin në tunele, në tenda dhe shtëpi me qëllim që të parandalojë ushtrinë izraelite të nisë operacione kundër disa zonave.

Kryeministri izraelit theksoi se pengjet po mbahen në zona që janë të rrezikshme. Më herët edhe presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi Hamasin se do të “paguante shtrenjtë” nëse do t’i përdorte pengjet që mbante si “mburoja”.