Norvegjia kundër Izraelit, të ardhurat e ndeshjes do të shkojnë për Gaza-n

Ndeshja Norvegji–Izrael, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026 dhe që do të luhet më 11 tetor, në ‘Ullevaal Stadion’ të Oslos, do të ketë një dimension më të madh sesa ai sportiv. Federata Norvegjeze e Futbollit (NFF) ka njoftuar se i gjithë të ardhurat nga biletat do të dhurohen për organizatën humanitare Mjekët pa Kufij, për të mbështetur ndërhyrjet emergjente në Gaza dhe zonat përreth të prekura nga konflikti.

Presidentja e NFF-së, Lise Klaveness, e argumentoi këtë vendim si një akt të domosdoshëm përballë situatës dramatike:

“Jetojmë një moment historik ku nuk mund të qëndrojmë indiferentë. Si anëtarë të FIFA-s dhe UEFA-s jemi të detyruar të përballemi me Izraelin në fushë, por nuk mund të mbyllim sytë para vuajtjeve humanitare në Lindjen e Mesme. Për këtë arsye kemi vendosur që e gjithë të ardhura të shkojnë për Mjekët pa Kufij, të cilët shpëtojnë jetë çdo ditë në Gaza.”

Entuziazëm ka shprehur edhe Lindis Hurum, sekretare e përgjithshme e Mjekëve pa Kufij në Norvegji:

“Futbolli bashkon njerëzit edhe në kontekste të vështira. Angazhimi i NFF-së për të ndihmuar ata që vuajnë nga varfëria, konfliktet dhe diskriminimi reflekton misionin tonë: të shpëtojmë jetë dhe të lehtësojmë dhimbjen pa dallim.”

Iniciativa ka marrë mbështetje të menjëhershme edhe nga sektori privat. Një nga grupet më të mëdha të investimeve në Norvegji ka dhuruar 3 milionë korona norvegjeze (rreth 260 mijë euro), përveç të ardhurave që do të gjenerohen nga ndeshja. Kompania, që ka zgjedhur të mbetet anonime, ka dhënë edhe më parë ndihma për projekte në Gaza, përfshirë financimin e një programi futbolli për fëmijët në bashkëpunim me Federatën Palestinezë të Futbollit.

Kështu, sfida mes Norvegjisë dhe Izraelit pritet të jetë jo vetëm një duel sportiv, por edhe një mesazh solidariteti për ata që vuajnë nga konflikti.