Rreth 13.000 ushtarë nga Bjellorusia dhe Rusia filluan stërvitjen ushtarake, Zapad, pranë kufirit polak. Manovrat shihen si provokim ndaj Perëndimit.
Është stërvitja e parë e përbashkët ushtarake midis Rusisë dhe Bjellorusisë në territorin bjellorus që nga viti 2021. Ajo mban emrin Zapad, fjala ruse për Perëndimin dhe përfshin praktikimin e aktiviteteve ushtarake në rajonet afër kufijve më të rëndësishëm të Evropës, përfshirë edhe vendosjen e konsiderueshme të pajisjeve dhe trupave.
Stërvitja Zapad zhvillohet çdo katër vjet. Këtë herë stërvitja vjen në një kohë shumë të tensionuar – një javë sulmesh masive me dronë rusë ndaj objektivave ukrainase; dy ditë pasi dronët rusë depërtuan thellë në Poloni. Pikërisht për këtë shkak, vendet e NATO-s janë të shqetësuara. Kryeministri polak Donald Tusk tha se vendi i tij nuk ka qenëk aq afër një “konflikti të hapur” që nga Lufta e Dytë Botërore. Në përgjigje të Zapad, Polonia ka mbyllur kufirin e saj me Bjellorusinë dhe ka filluar stërvitjet e veta ushtarake, të cilat i quan “Mbrojtësi i Hekurt”.
Rusia e zhvillon stërvitjen me aleatin e saj më të rëndësishëm evropian, Bjellorusinë, në territorin e të dy vendeve, dhe konsiderohet stërvitja më e rëndësishme ushtarake për forcat e armatosura të të dy vendeve. Zyrtarisht stërvitja synon të inskenojë konflikte të mundshme dhe të përgatisë forcat e armatosura për to.
Pas agresionit rus ndaj Ukrainës, tani vite më vonë, analistët ushtarakë, stërvitjen e vitit 2021 e shohin ndërkohë si përgatitje për pushtimin. Rusia sulmoi edhe nga veriperëndimi, pra nga territori bjellorus. Udhëheqja në Kiev e konsideron tani të pamundur që Rusia të pushtojë përsëri nga Bjellorusia, pasi Ukraina tani po e mbron shumë mirë kufirin e saj, thotë Andriy Demchenko, zëdhënës i Mbrojtjes Kufitare të Ukrainës.
Ukraina po i ndjek manovrat me kujdes
“Njësitë tona, sigurisht, po monitorojnë se çfarë po ndodh atje, deri në çfarë mase kjo manovër rrit më tej rrezikun për vendin tonë”, tha zëdhënësi. “Ne tashmë mund të shohim se ka trupa dhe pajisje ushtarake ruse në anën tjetër të kufirit.”
Në ditët e para të pushtimit tre vjet e gjysmë më parë, trupat ruse përparuan nga Bjellorusia, së pari në vendin e ish-centralit bërthamor të Çernobilit, pastaj më tej drejt Kievit. Trupat ruse u ndalën vetëm disa kilometra në veri dhe perëndim të kryeqytetit ukrainas. Por pas disa javësh, Ukraina ia doli të dëbonte trupat ruse që andej. Rusia i zhvendosi kryesisht këto trupa në Donbas, në frontin në Ukrainën lindore.
Rezervistë të rinj për frontin?
Të paktën, mund të ketë provokime në kufi gjatë manovrave ruso-bjelloruse, thotë eksperti ushtarak ukrainas Vasyl Pechnjo në kanalin televiziv Espreso. “Për më tepër, stërvitja mund të përfaqësojë një lloj mobilizimi të fshehur për Rusinë”, paralajmëron Pechnjo. Ushtria ruse mund të dërgojë rezervistë në stërvitje pa thënë se ata në të vërtetë janë të destinuar për atë që Rusia e quan operacion të posaçëm ushtarak në Ukrainë. “Dhe pas kësaj, ata do të dërgoheshin, për shembull, në frontin në Ukrainën lindore”, thotë eksperti ushtarak. Kjo do t’i siguronte Rusisë ushtarë të rinj dhe do t’i lejonte asaj të intensifikonte sulmet e saj në vijat e frontit të kontestuara.
Qëllimi kryesor: frikësimi i Perëndimit
Sipas Kievit kjo manovër synon të frikësojë partnerët perëndimorë të Ukrainës, Udhëheqja ushtarake bjelloruse ka njoftuar se do të praktikojë gjithashtu përdorimin e armëve bërthamore dhe raketave të reja me rreze të mesme veprimi.
Sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenski, “rusët po testojnë se çfarë mund të bëjnë pa u ndëshkuar dhe si do të reagojnë vendet e NATO-s”. Sipas tij, “testimi i reagimit të NATO-s mund të jetë pjesë e planeve për këtë stërvitje ushtarake.” /DW