“Nuk e votojmë Ruhi Demirin për bartës liste, tash as Blerim Sejdiun, përplasje e madhe në VLEN -Zhelinë”

Bartësi i listës Ruhi Demiri për komunën e Zhelinës nga koalicioni VLEN ka shkaktuar tensione të ashpra mes anëtarëve të Lëvizjes BESA. Siç mëson TS, anëtarët e BESËS nuk do ta votojnë kurrë Ruhi Demirin, pasi ai ka qenë për shumë vite i lidhur me BDI-në dhe ka ushtruar funksionin e drejtorit të shkollës në Zhelinë për 8 vite si përfaqësues i kësaj partie.

“Kurrë s’e votoj Ruhi Demirin, e tani as Blerim Sejdiun. Jam anëtar i BESËS, por me këtë që ka bërë Blerimi, asnjëherë s’jam dakord. Si mund ta votoj Ruhi Demirin, kur ai i ka shërbyer BDI-së gjithë jetën? Tani del të jetë më i fuqishëm se ne që kemi vrapuar për Blerimin për 8 vite”, thotë për TS një anëtar i Lëvizjes BESA nga Zhelina, që dëshiron të mbetet anonim.

“Nëse votoj, më mirë votoj për një të ri nga BDI-ja sesa për një pensionist të BDI-së”, thotë më tej ai.

Sipas tij, ky vendim është një provokim i rëndë për anëtarët e devotshëm të BESËS në Zhelinë.

“Zhelina do ta dënojë ashpër Blerim Sejdiun për këtë provokim që na bëri neve, që kemi qenë me të edhe në ditët më të vështira. Si ti besojë Ruhi Demirit, ai mund të jetë edhe i çuar nga BDI-ja?”.

Ndërkohë, pakënaqësia është përhapur edhe në disa fshatra të komunës së Zhelinës për shkak të listës së përzgjedhjes së këshilltarëve, që sipas anëtarëve të BESËS, po bëhen pa transparencë dhe pa konsultim.

Nga ana tjetër, situata financiare në komunën e Zhelinës është alarmante. Komuna ka mbi 6 milionë euro borxhe, këshilltarët komunal nuk kanë marrë rroga për 2 vite, ndërsa punëtorët e Higjenës janë pa rroga për mbi 3 muaj.