Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, iu kundërvu të mërkurën kritikave ndërkombëtare për sulmin e vendit të tij kundër krerëve të Hamasit në Katar të martën dhe e krahasoi atë me veprimet e Shteteve të Bashkuara pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.
Netanyahu përdori ton mbrojtës në një video ku foli në gjuhën angleze, duke i mbrojtur veprimet e Izraelit dhe duke e paralajmëruar Katarin se ose duhet t’i dëbojë anëtarët e byrosë politike të Hamasit, ose “t’i sjellë para drejtësisë, sepse nëse ju nuk e bëni këtë, do ta bëjmë ne”, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Duke e krahasuar sulmin e udhëhequr nga Hamasi në Izrael me 7 tetor 2023 me sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001 në ShBA, kur ishin vrarë rreth 3.000 njerëz, pas marrjes nën kontroll të katër nga grupi al-Qaeda, Netanyahu tha se Izraeli “e mban mend 7 tetorin”, kur “terroristët islamistë e kryen egërsinë më të keqe kundër popullit hebraik që nga Holokausti”.
“Çfarë bëri Amerika pas 11 shtatorit (2001)? Premtoi se do t’i ndiqte terroristët që e kryen këtë krim të neveritshëm, kudo që mund të jenë ata. Gjithashtu, miratoi një rezolutë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, dy javë më pas, e cila thoshte se qeveritë nuk mund t’i strehojnë terroristët” – shtoi Netanyahu.
“Çfarë bëri saktësisht Amerikan, kur iu vu pas terroristëve të al-Qaedas në Afganistan dhe pasi ata shkuan dhe e vranë Osama bin Ladenin në Pakistan”, vazhdoi kryeministri izraelit, duke shtuar se të njëjtat shtete që e kishin duartrokitur ShBA-në për vrasjen e Bin Ladenit, duhet të turpërohen nga vetja që po e dënojnë Izraelin.
Katari reagoi më vonë ndaj këtyre komenteve, duke thënë se ato janë “islamofobe” dhe “të pamatura” e “kërcënime eksplicite për shkelje të sovranitetit shtetëror në të ardhmen”.
“Netanyahu është plotësisht i vetëdijshëm se nikoqirllëku i zyrës së Hamasit ndodhi brenda kornizës së përpjekjeve të Katarit për ndërmjetësim, të kërkuara nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Katarit.
“Bisedimet u zhvilluan gjithmonë në mënyrë zyrtare dhe transparente, me përkrahje ndërkombëtare dhe në praninë e delegacioneve amerikane e izraelite. Aludimi i Netanyahut se Katari në mënyrë sekrete e ka strehuar delegacionin e Hamasit është përpjekje e dëshpëruar për të justifikuar një krim të dënuar nga e mbarë bota” – thuhet më tej në reagim.
Thuhet se në shënjestër të sulmit ajror izraelit ishte një takim i udhëheqësve të lartë të Hamasit, të cilët besohej se ishin mbledhur në Doha për të diskutuar një propozim të ri të sponsorisuar nga ShBA-ja me qëllim të përfundimit të luftës në Gaza./Nacionale