Dëshmi tronditëse e nënës së Adrianës së ndjerë: Vajza ime e shihte si Zot mjekun Nino Vasev, ndërsa ajo u vra në heshtje nga terapia e gabuar
Në seancën e sotme gjyqësore për skandalin “Onkologjia”, dëshmitare e parë ishte thirrur Julija Macievska, nëna e Adrianës së ndjerë, e cila ndërroi jetë para tre vitesh.
Me lot në sy, ajo tregoi gjithë kalvarin që kishte kaluar vajza e saj e re në Klinikën e Onkologjisë në Shkup dhe si i lutej mjekut të saj, Nino Vasev, të mos ia jepte imunoterapitë. Sipas saj, pikërisht nga terapia e papërshtatshme, Adriana kishte marrë metastaza artificiale në mëlçi, ndonëse më herët ishte shëruar nga kanceri i gjirit.
“Vajza ime filloi trajtimin në Klinikën e Onkologjisë në shtator 2020, menjëherë pas ditëlindjes së saj. Mjeku i saj ishte Nino Vasev. Në çdo seancë isha pranë saj. Terapitë ishin të rënda, por ne mendonim se kjo ishte normale për kimioterapi.
Adriana kishte shumë vullnet dhe besim tek doktori, i cili na mbushi me shpresë. Ajo kurrë nuk u mat në peshë, gjithmonë merrte dozë të plotë. Kur unë shqetësohesha, përgjigjja ishte se gjithçka ishte normale. Ne e shikonim doktorin si Zot.
Pas kimioterapive, kur gjendja u përmirësua, ai vendosi të vazhdonte me imunoterapi. E luta që ta pushonte pak vajza, por më tha: ‘Adriana nuk do të shërohet me çajrat dhe lëngjet e tua’. Pas çdo terapie, simptomat u rënduan. Filluan temperaturat, të vjellat, gjakderdhja nga hunda, barku iu mbush me ujë. Në Gastro më thanë se kishte metastaza artificiale nga terapitë e gabuara. Kur i thashë doktorit, ai vetëm qeshi dhe i përbuzte kolegët.
Adriana po dobësohej çdo ditë, ndërsa ai vazhdonte me terapitë. E paraqisja vazhdimisht se nuk ishte mirë, por më akuzonte se ‘po panikohem’. Në fund, mjekët e Gastro-s më thanë se vajzës i kishin mbetur vetëm disa ditë jetë.
Vajza ime nuk vdiq nga kanceri i gjirit, por nga terapitë e gabuara. Nëna që sheh fëmijën të vuajë e di këtë. Ky ishte një vrasje e heshtur.
Paratë nuk më duhen, unë e humba fëmijën tim. Por do të kërkoj dëmshpërblim dhe do ta dhuroj, sepse dua drejtësi. Do të bashkohem me ndjekjen penale, sepse ai e dinte çfarë bënte, por diku gjatë rrugës e humbi njerëzinë.”