AKI – Tetovë: Bilall Kasami në mënyrë klandestine hoqi kalldërmat e vejtëra nga rruga 185 dhe 186 (VIDEO)
Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) – Tetovë ka reaguar sot publikisht, duke akuzuar kryetarin në ikje të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, për keqmenaxhim dhe politika destruktive informon Tetovasot.
“Para më shumë se një viti e gjysmë, në mënyrë klandestine, Komuna e Tetovës hoqi kalldrëmet nga rrugët 185 dhe 186 për t’i përdorur në projektin e Rrugës së Butiqeve. Si pasojë e kësaj sjelljeje të papërgjegjshme, banorët e këtyre dy rrugëve jetojnë sot një ‘golgotë’ të vërtetë: rrugët janë të pakalueshme, makinat po dëmtohen, rastet emergjente mjekësore përballen me pengesa serioze dhe fëmijët kanë vështirësi për të shkuar në shkollë”, thuhet në reagimin e AKI-së.
Sipas AKI-së, ironia qëndron tek fakti se edhe vetë projekti i Rrugës së Butiqeve, me emrin “Ringjallja e zejeve për zhvillim të përbashkët turistik”, nuk është ide apo meritë e kryetarit në ikje. Ky projekt është fituar si grant nga Bashkimi Evropian në kohën kur Komuna udhëhiqej nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
“Kjo është dëshmia më e mirë e një pushteti që punon pa plan dhe në mënyrë të çorganizuar, duke dëmtuar qytetarët për interesa politike. Por eksperimenteve të tilla po u vjen fundi. Më 19 tetor qytetarët e Tetovës do t’i thonë mjaft mashtrimeve dhe do të zgjedhin opsionin që sjell zhvillim me plan, përkushtim dhe dinjitet për çdo lagje dhe çdo qytetar,” thuhet në deklaratën e AKI-së./TS/