Dhjetëra qytetarë janë mbledhur sot në Sheshin e Pavarësisë në Kiev, për të protestuar kundër një projektligji të miratuar në lexim të parë nga parlamenti ukrainas, i cili parashikon rritjen e përgjegjësisë penale ndaj ushtarëve në rastet e mosbindjes.
Sipas Ukrainska Pravda, protestuesit kanë dalë në rrugë me pankarta të punuara me dorë, duke shprehur shqetësimin se masa të tilla ndëshkuese mund të cenojnë të drejtat e atyre që janë në vijën e parë të frontit. Disa nga mesazhet që mbajnë pankartat janë: “Ju po ndëshkoni ata të gabuar”, “Ne duhet të mbrojmë ata që na mbrojnë” dhe “Represioni nuk është disiplinë.”
Projektligji në fjalë është pjesë e përpjekjeve të qeverisë për të forcuar disiplinën brenda radhëve të ushtrisë, në një kohë kur Ukraina vazhdon të përballet me agresionin rus.
Megjithatë, kritikët e ligjit thonë se ai mund të shkaktojë efekt të kundërt, duke ulur moralin e trupave dhe duke shtuar ndjenjën e frikës brenda ushtrisë.