Kim Jong Un niset drejt Kinës me tren të blinduar për paradën ushtarake historike në Pekin

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, është nisur nga kryeqyteti Pyongyang drejt Kinës me trenin e tij të blinduar, për të marrë pjesë në një paradë madhështore ushtarake që do të mbahet të mërkurën në Pekin, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare.

Parada e njohur si “Dita e Fitores” do të jetë ngjarja e parë shumëpalëshe ndërkombëtare ku Kim do të marrë pjesë personalisht, duke u vendosur krah për krah me presidentin e Kinës, Xi Jinping, presidentin rus Vladimir Putin dhe liderë të tjerë botërorë.

Kim u nis të hënën në mbrëmje nga Pyongyangu me trenin e tij luksoz të blinduar, i cili raportohet se përfshin edhe një vagon restorant që shërben verëra franceze të zgjedhura dhe ushqime si kallamar i freskët. Për shkak të nivelit të lartë të sigurisë, treni lëviz ngadalë dhe pritet që udhëtimi të zgjasë deri në 24 orë, sipas agjencisë jugkoreane Yonhap.

Kjo është hera e parë që një lider i Koresë së Veriut merr pjesë në një paradë ushtarake kineze që nga viti 1959. Ai do të jetë ndër 26 krerët e shteteve të pranishëm, përfshirë liderët e Mianmarit, Iranit dhe Kubës.

Në paradën e fundit kineze për Ditën e Fitores në vitin 2015, Koreja e Veriut kishte dërguar një zyrtar të lartë, Choe Ryong-hae, por këtë herë prania e vetë Kim Jong Un përfaqëson një përmirësim të dukshëm në nivelin diplomatik.

Kim rrallë udhëton jashtë vendit; takimet e tij të fundit me liderë botërorë kanë qenë kryesisht me Vladimir Putinin, të cilin e ka takuar dy herë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës. Vizita e tij e fundit në Pekin ishte në vitin 2019, me rastin e 70-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve – gjithashtu e realizuar me tren.

Tradita e udhëtimeve me tren ka nisur që nga gjyshi i tij, Kim Il Sung, i cili ka udhëtuar me tren drejt Vietnamit dhe Europës Lindore. Edhe babai i tij, Kim Jong Il, preferonte trenin për shkak të frikës nga fluturimi.

Një media jugkoreane raporton se treni i blinduar përbëhet nga rreth 90 vagona, përfshirë salla mbledhjesh, dhoma pritjeje dhe dhoma gjumi.

Të mërkurën, dhjetëra mijëra trupa ushtarake do të marshojnë në Sheshin e famshëm Tiananmen të Pekinit, për të shënuar 80-vjetorin e kapitullimit të Japonisë në Luftën e Dytë Botërore. Parada 70-minutëshe pritet të shfaqë armatimin më të ri të Kinës, përfshirë qindra avionë, tanke dhe sisteme kundër-dronëve – hera e parë që struktura e re e forcave kineze do të paraqitet në një paradë.

Shumica e liderëve perëndimorë nuk pritet të marrin pjesë, për shkak të kundërshtimit ndaj pushtimit rus të Ukrainës. Megjithatë, liderët e Indonezisë, Malajzisë, Mianmarit dhe Vietnamin do të jenë të pranishëm – një tjetër tregues i përpjekjeve të Pekinit për të forcuar lidhjet me Azinë Juglindore.

Nga Bashkimi Evropian, vetëm Kryeministri sllovak Robert Fico do të jetë i pranishëm, ndërsa Bullgaria dhe Hungaria do të përfaqësohen nga delegacione të nivelit më të ulët.