Këtë edicion futbollistik, Liga e Katërt do të marrë një tjetër jehonë falë rikthimit të dy skuadrave me histori dhe traditë në futbollin vendor – KF Tearca dhe KF Zhelina informon Tetovasot
Të dyja skuadrat kanë qenë pjesë e garave të ndryshme në dekadat e fundit, duke prodhuar futbollistë të cilët më pas kanë kontribuar edhe në liga më të larta. Pavarësisht se për disa vite u tërhoqën nga skena e garave zyrtare për arsye financiare dhe organizative, tani ato po rikthehen të forcuara me synim për të ringjallur futbollin lokal.
KF Tearca, e njohur për tifozët e zjarrtë dhe traditën e gjatë në fshatin Tearcë, gjithmonë ka qenë vatër talentesh dhe pasioni për futbollin. Në anën tjetër, KF Zhelina mbart me vete një emër të madh dhe ka prodhuar breza lojtarësh që kanë lënë gjurmë në sportin vendor.
Këtë vit, garat në Ligën e Katërt pritet të jenë më atraktive, meqë përballjet midis këtyre dy skuadrave do të jenë derbi të vërteta lokale që do të tërheqin shumë sportdashës. Përveç rivalitetit sportiv, rikthimi i tyre do të thotë më shumë energji, më shumë investim dhe një frymë e re për futbollin amator.
Për drejtuesit dhe tifozët e dy klubeve, synimi kryesor është jo vetëm pjesëmarrja, por edhe krijimi i kushteve për një garë dinjitoze dhe hapja e perspektivës që këto ekipe të ngjiten sërish në ligat më të larta.Tetovasot