GAZETA “SHKUPI”, ZËDHËNËSE E NJË KOMBI QË ENDE NUK KISHTE SHTET

(Përvjetori i 114-të i gazetës “Shkupi”)
Rëndësia e kësaj gazete është e shumëfishtë. Së pari, sepse doli në Shkup, qytet simbolik
dhe strategjik, që përfaqësonte një nga qendrat kryesore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Së dyti, “Shkupi” dëshmonte se gazetaria shqiptare, edhe në kushte të rënda, ecte në hap
me zhvillimet e kohës. Së treti, ajo përfaqësonte mendimin politik autentik shqiptar, duke
artikuluar idetë e lirisë, arsimit dhe kulturës në gjuhën amtare, duke i dhënë krahë një
populli që kërkonte të shndërrohej nga masë e shtypur në komb të vetëdijshëm.
Nga Prof.dr Skender ASANI
Emri “Shkupi” mbante një simbolikë të madhe kombëtare, sepse rilindja kombëtare shqiptare në
fillim të shekullit XX kishte hyrë në fazën e fundit të saj dhe duhej të kurorëzohej me shpalljen e
Pavarësisë. Pas Kongresit të Manastirit të vitit 1908, ku nuk u bë vetëm unifikimi i alfabetit, por
iu dha edhe një shtytje e fuqishme përmbylljes së procesit të Rilindjes Kombëtare me shpalljen e
pavarësisë etnike, rilindësit e asaj kohe e kuptuan se fjala e shkruar ishte arma më e fuqishme për
të përhapur idetë e lirisë. Në Kongresin e dytë të Manastirit, të mbajtur në prill të vitit 1910, u
mor vendimi që të hapej gazeta “Shkupi” si promotore e shpalljes së Pavarësisë. Përmes saj jepej
sinjali se udhëtimi i Rilindjes Kombëtare do të kulmonte në Shkup, në kryeqendrën shpirtërore të
shqiptarëve, aty ku ideja e lirisë dhe e shtetit do të merrte formën e saj të plotë.
Më 29 gusht 1911, në këtë kryeqendër të Vilajetit të Kosovës, doli numri i parë i gazetës
“Shkupi”. Sot pas, 114 vjet më vonë, ne përulemi me nderim dhe krenari para këtij akti historik
që nuk ishte vetëm një hap në fushën e shtypit shqiptar, por një gur themeltar në ndërgjegjësimin
kombëtar, politik dhe kulturor të shqiptarëve.
Editor i gazetës “Shkupi” ishte intelektuali i jashtëzakonshëm Jashar Erebara, i cili me guxim
dhe vizion mori përsipër ta udhëhiqte këtë organ të rëndësishëm të shtypit shqiptar. Ai nuk ishte
vetëm një redaktor, por një strateg i fjalës së shkruar, që me mjeshtëri bashkëpunoi ngushtë me
bartësit kryesorë të Lëvizjes Kombëtare, si Hasan Prishtina, Ismail Qemali dhe të tjerë. Me
horizontin e gjerë intelektual që e karakterizonte, Erebara nuk e kufizoi gazetën vetëm në temat e

hapësirës shqiptare, por e shtriu atë në diapazon evropian dhe botëror, duke pasqyruar drejt
trendet e lëvizjeve ndërkombëtare. Në faqet e “Shkupit” ai shpesh publikonte editoriale të
fuqishme, ku reagonte ndaj politikave të padrejta që popujt ballkanikë dhe fuqitë e mëdha
evropiane ushtronin mbi shqiptarët, duke e shndërruar kështu gazetën në një tribunë të së vërtetës
dhe një mburojë të të drejtave kombëtare.
Gazeta “Shkupi” nuk qe një botim i zakonshëm. Ajo mbërriti në një kohë kur Perandoria
Osmane po i numëronte vitet e fundit në Ballkan, kur sferat e ndikimit të fuqive të mëdha dhe
lakmitë territoriale të fqinjëve rrezikonin copëtimin dhe zhdukjen e qenies shqiptare. Ishin kohë
udhëkryqi, ku fatet e popujve përcaktoheshin nga intrigat diplomatike dhe marrëveshjet e fshehta
mes shteteve të mëdha, ndërsa populli shqiptar, ende pa shtet, kërkonte të mbijetonte e të
afirmohej. Pikërisht në këto rrethana, gazeta “Shkupi” mori guximin të bëhej zëdhënëse e një
kombi që ende nuk kishte shtetin e tij, por që kishte shpirtin dhe vullnetin për të qenë i lirë.
Rëndësia e kësaj gazete është e shumëfishtë. Së pari, sepse doli në Shkup, qytet simbolik dhe
strategjik, që përfaqësonte një nga qendrat kryesore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Emri i saj
mbart një mesazh të qartë: shqiptarët nuk ishin të huaj në këtë qytet, përkundrazi, ishin pjesë e
pandarë e tij, bartës të kulturës dhe identitetit të tij. Së dyti, “Shkupi” dëshmonte se gazetaria
shqiptare, edhe në kushte të rënda, ecte në hap me zhvillimet e kohës, duke mos mbetur prapa
shtypit të vendeve të tjera të rajonit. Së treti, ajo përfaqësonte mendimin politik autentik shqiptar,
duke artikuluar idetë e lirisë, arsimit dhe kulturës në gjuhën amtare, duke i dhënë krahë një
populli që kërkonte të shndërrohej nga masë e shtypur në komb të vetëdijshëm.
Megjithëse jetëshkurtër (29 gusht 1911 – 3 tetor 1912), gazeta “Shkupi” la gjurmë të
pashlyeshme. Nëpërmjet artikujve të saj, ajo paralajmëronte për rreziqet që i kanoseshin
shqiptarëve nga fqinjët dhe nga intrigat e kohës, por njëkohësisht nxitonte të përhapte idenë se
vetëm arsimi, kultura dhe veprimi i organizuar politik e ushtarak mund ta shpëtonin kombin nga
asimilimi dhe zhdukja.
Pas ndërprerjes së botimit të saj, në tetor të vitit 1912 për shkak të okupimit serb të Shkupit,
vijimësia e gazetës “Shkupi” u ringjall në vitin 1945 me daljen e gazetës “Flaka e
Vëllazërimit”, e cila luajti një rol të rëndësishëm në proceset kulturore e shkencore të ngritjes së
shqiptarëve në hapësirat e atëhershme jugosllave. Me ndryshimet shoqërore të viteve ’90,

trashëgimia e saj u pasua nga gazeta “Fakti”, e cila mori mbi vete një mision të veçantë në
pasqyrimin e zhvillimeve politike e kombëtare, duke qenë zë i fuqishëm në periudhën e luftës së
Kosovës dhe në rrethanat e reja shoqërore e politike në Maqedoni në fund të shekullit XX.
Sot, kur shfletojmë faqet e saj të verdha nga koha, na pushton një ndjenjë e dyfishtë: nga njëra
anë keqardhja se idealizmi i veprimtarëve të asaj kohe nuk u realizua i plotë në vitet pas shpalljes
së Pavarësisë; nga ana tjetër, krenaria se idealet e tyre nuk u shuan kurrë. Ato jetuan, u përcollën
brez pas brezi dhe sot janë pjesë e shpirtit liridashës të shqiptarëve kudo që janë.
Gazetarët e sotëm, ashtu si rilindësit e djeshëm, kanë një mision të shenjtë: të jenë në shërbim të
kauzës kombëtare dhe të paraprijnë unitetit intelektual dhe politik të shoqërisë shqiptare. Në
kohën kur çështja shqiptare po sfidohet nga konfiguracione të reja të ndarjes së interesave
botërore, përgjegjësia e elitave intelektuale dhe politike është të lexojnë drejt kohën, të
identifikojnë rreziqet dhe të udhëheqin me vizion. Përvjetori i gazetës “Shkupi” është kujtesë dhe
paralajmërim se fjala, mendimi dhe uniteti mbeten armët më të fuqishme të kombit tonë.
Shkup, 28.08.2025