Donald Trump urdhëron shkarkimin e zyrtares së Rezervës Federale, Lisa Cook

Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë të ditur se do ta shkarkojë menjëherë zyrtaren e Rezervës Federale, Lisa Cook, nga pozicioni i saj në bordin e guvernatorëve të bankës qendrore të ShBA-së.

Ky veprim përfaqëson një përshkallëzim të madh në betejën e Trump kundër Rezervës Federale, të cilën ai e ka kritikuar vazhdimisht kohët e fundit për shkak të normave të larta të interesit.

Përmes një njoftimi të bërë në platformën e tij Truth Social, Trump publikoi një letër të drejtuar Lisa Cook, në të cilën e informonte për shkarkimin e saj me efekt të menjëhershëm. Ai tha se kishte “arsye të mjaftueshme” për të besuar se ajo kishte bërë deklarata të rreme mbi marrëveshjet e hipotekës dhe se kishte të drejtë kushtetuese për ta larguar atë nga detyra.

Në një reagim të shpejtë, Cook ka hedhur poshtë vendimin e presidentit duke e konsideruar të paligjshëm. Ajo deklaroi se Trump “nuk ka autoritet ta shkarkojë atë” dhe theksoi se “nuk do të japë dorëheqjen”.
“Presidenti Trump pretendoi të më shkarkonte ‘për shkak’ kur nuk ekziston asnjë shkak sipas ligjit, dhe ai nuk ka autoritet për ta bërë këtë”, tha Cook në një deklaratë, sipas raportimit të BBC.

“Unë nuk do të jap dorëheqjen. Do të vazhdoj të kryej detyrat e mia për të ndihmuar ekonominë amerikane, siç kam bërë që nga viti 2022”, shtoi ajo.

Lisa Cook është një nga shtatë anëtarët e bordit të guvernatorëve të Rezervës Federale dhe gjithashtu gruaja e parë afrikano-amerikane që shërben në këtë rol. Shkarkimi i saj i pretenduar nga ana e presidentit besohet të jetë i pashembullt në historinë 111-vjeçare të institucionit.