Ligjvënësit amerikanë kritikuan ashpër sulmet vdekjeprurëse të Izraelit të hënën në Kompleksin Mjekësor Nasser në Gaza, transmeton Anadolu.
“Sulmet e qëllimshme dhe të tmerrshme të Izraelit në Spitalin Nasser vranë mjekë, gazetarë dhe punonjës shpëtimi. Një spital nuk duhet të jetë kurrë një zonë lufte. SHBA-ja nuk mund të vazhdojë të financojnë këto krime lufte”, shkroi përfaqësuesja Nydia Velazquez në platformën e kompanisë amerikane të mediave sociale X.
Përfaqësuesja Rashida Tlaib, e vetmja anëtare palestinezo-amerikane e Kongresit, shkroi në X se “Çdo politikan amerikan që ka votuar për të armatosur shtetin gjenocidal të aparteidit ka gjakun e kësaj masakre në duart e veta”.
Të paktën 20 persona, përfshirë 5 gazetarë dhe një zjarrfikës, u vranë në sulmin ndaj spitalit në Khan Younis, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.
Ushtria izraelite pranoi sulmin, duke thënë se “ndjen keqardhje për çdo dëm ndaj individëve të papërfshirë” dhe ka nisur një hetim fillestar.
Zyrtarët dhe mjekët palestinezë thanë se kati i katërt i spitalit u godit dy herë, me sulmin e dytë që synonte shpëtimtarët.
Midis të vrarëve ishin gazetarët Hussam al-Masri i Reuters, Mohammad Salama i Al Jazeera-s, Mariam Abu Dagga, një gazetare vizuale e pavarur për The Associated Press, Moaz Abu Taha, Ahmed Abu Aziz dhe Hassan Douhan.
Vdekjet e fundit e çuan numrin e gazetarëve të vrarë në Gaza që nga tetori i vitit 2023 në 246, sipas Zyrës së Medias së Qeverisë së Gazës.