Bujar Osmani: Margjinalizimi i shqiptarëve është pjesë e një plani më të gjerë të Mickoskit për braktisjen e integrimit evropian
Nëse gjykohet nga publikimi i fundit i Bujar Osmanit, përzgjedhja e VLEN-it si partner shqiptar në Qeveri nuk ka qenë e rastësishme, as vetëm çështje e matematikës paszgjedhore. Sipas tij, bëhet fjalë për një strategji afatgjatë të kryeministrit Hristijan Mickoski të sigurohet një faktor shqiptar i dobët, i kontrolluar brenda Qeverisë, i cili nuk do të jetë pengesë për, siç e quan Osmani, “devijimin nga rruga evropiane dhe orientimin drejt botës serbe.”
“Mickoski e di shumë mirë se vetëm një partner shqiptar i shantazhuar e i dobët do të heshtë para këtij devijimi të rrezikshëm të shtetit,” shkruan Osmani. Në narrativin e tij, BDI nuk është vetëm një parti politike, por një mburojë ndaj ndryshimit të ekuilibrit gjeostrategjik të shtetit. Ndërsa largimi i BDI-së, sipas tij, ishte parakusht për një transformim politik e ideologjik që, siç pohon, po largohet gjithnjë e më shumë nga vlerat e Marrëveshjes së Ohrit dhe integrimet evropiane.
Osmani vë në pikëpyetje sinqeritetin e retorikës antikorrupsion të Mickoskit, duke theksuar se “sulmet ndaj BDI-së nuk ishin me qëllim të ashtuquajturës luftë kundër korrupsionit dhe krimit.” Përkundrazi, sipas tij, ato shërbyen si alibi për inxhinieri politike krijimin e një shumice të re me një partner shqiptar të dobët, i cili nuk do të ketë fuqi reale për të kundërshtuar vendimet thelbësore.
Faktet tregojnë se pas një viti qeverisjeje, realisht nuk janë hapur hetime të rëndësishme kundër funksionarëve të pushtetit të kaluar. Në atë vakum, Osmani ngre tezën se retorika e “ndryshimit” në fakt fsheh një rikompozim strategjik të identitetit shtetëror.
Cila është roli i VLEN-it?
Në pjesën më të ashpër të tekstit, Osmani e shton pyetjen mbi pozitën dhe rolin e VLEN-it. “Shqiptarët në Qeveri jo vetëm që nuk kanë zë, por nuk kanë asnjë gjurmë dinjiteti,” shkruan ai, duke akuzuar drejtpërdrejt se VLEN hesht përballë proceseve si “rishikimi i Marrëveshjes së Ohrit”, “relativizimi i shumicës së Badenterit” dhe “vënia në dyshim e barazisë së shqiptarëve.”
Pretendime të tilla, ndonëse të mbështetura mbi retorikë politike, hapin një debat legjitim a ka dhe sa ka realisht ndikim partneri shqiptar në qeveri mbi vendimet kyçe, sidomos në fushën e eurointegrimeve, marrëdhënieve ndëretnike dhe qëndrimit ndaj ndikimeve rajonale.
Barazia politike si vijë mbrojtëse
Osmani e pozicionon faktorin politik shqiptar si vijën e fundit të mbrojtjes së parimeve demokratike dhe orientimit gjeostrategjik të shtetit. “Shqiptarët gjithmonë kanë qenë korrektues të të gjitha proceseve të shkatërrimit të demokracisë,” thotë ai, duke bërë thirrje për bashkim jo vetëm në nivel politik, por edhe identitar.
Thirrja për rikthim tek “vlerat që i kanë bërë shqiptarët politikisht të fuqishëm” është njëkohësisht kritikë ndaj fragmentimit të tanishëm dhe një sinjal se zgjedhjet e ardhshme do të zhvillohen rreth çështjeve që tejkalojnë përkatësinë partiake: e ardhmja e integrimeve, stabiliteti i modelit multietnik dhe përcaktimi i kursit shtetëror.
“Kjo nuk është një betejë partiake. Kjo është një betejë për dinjitetin, për barazinë politike, për ta kthyer shtetin në rrugën e duhur,” përfundon Osmani.
Kthesë apo vazhdim i së vjetrës?
Me një ton dhe përmbajtje të tillë, Bujar Osmani ngre një kornizë ku përzgjedhja e partnerit politik shqiptar bëhet çështje e interesit shtetëror. Pyetja kyçe mbetet a do ta njohë opinioni, sidomos ai shqiptar, këtë narrativ si pasqyrë të vërtetë të gjendjes aktuale, apo si mbrojtje retorike të fuqisë së dikurshme?
Përgjigjja ndoshta do të vijë në zgjedhjet e ardhshme. Por deri atëherë, mbetet e hapur dilema: a është heshtja e VLEN-it shenjë e një partneriteti racional, apo konfirmim i tezës se për një ndryshim të qetë politik nevojitet një partner i heshtur koalicionist?