Një në tre gjermanë me “fobi” nga Inteligjenca Artificiale, mendojnë se do t’ua marrë punën

Rezultatet e një hulumtimi të porositur nga agjencia DPA zbulojnë se një e treta e qytetarëve të Gjermanisë kanë frikë se përparimi i inteligjencës artificiale (IA) mund të shkaktojë humbjen e vendeve të tyre të punës.

Anketa, e realizuar nga instituti për hulumtim të opinionit publik YouGov, me pjesëmarrjen e 2.175 personave, tregoi se 34% e të anketuarve shprehin shqetësim për statusin e tyre profesional për shkak të IA-së, ndërsa 62% nuk ndihen të ekspozuar ndaj këtij rreziku.

Edhe pse nuk janë konstatuar dallime të mëdha mes mbështetësve të partive të ndryshme politike në vend, punonjësit që jetojnë në mjedise urbane dhe ata me nivel më të ulët arsimimi shfaqin më shumë frikë se në të ardhmen mund të zëvendësohen nga inteligjenca artificiale.

Sipas një studimi të publikuar nga Instituti Ifo në qershor, rreth 27% e kompanive në Gjermani parashikojnë se inteligjenca artificiale do të çojë në ulje të vendeve të punës gjatë pesë viteve të ardhshme. Rreth 5% e kompanive presin rritje të vendeve të punës si rezultat i IA-së, ndërsa dy të tretat nuk presin asnjë ndryshim.

Që nga momenti kur kompania amerikane OpenAI lansoi modelin e saj të parë të madh gjuhësor, ChatGPT, në nëntor 2022, zhvillimi i modeleve të inteligjencës artificiale ka shënuar progres të jashtëzakonshëm.

Valët e modeleve të inteligjencës artificiale që prej asaj kohe janë krijuar nga kompani të ndryshme dhe kanë treguar përmirësime në logjikë, efikasitet, shkallëzim dhe në përpunimin e njëkohshëm të tekstit, imazheve, audios, videos dhe formateve të tjera.