Trump i zemëruar me raportin pas bombardimeve në Iran? Shkarkohet gjenerali Jeffrey Kruse

Ministri amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka shkarkuar gjeneral-lejtnantin Jeffrey Kruse, i cili drejtonte Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes së SHBA (DIA). Shkarkimi vjen pas publikimit të një raporti fillestar të inteligjencës mbi dëmet në objektet bërthamore iraniane pas sulmeve amerikane, raport që ka zemëruar presidentin Donald Trump.

Sipas burimeve të AP, Kruse nuk do të ushtrojë më detyrën e shefit të DIA-s. Ky vendim konsiderohet si një tjetër tronditje për kryesinë ushtarake dhe shërbimet e inteligjencës amerikane, dhe vjen disa muaj pasi detajet e raportit paraprak u rrjedhën në media.

Raporti sugjeronte se programi bërthamor iranian ishte penguar vetëm për disa muaj nga sulmet amerikane, një përfundim që hynte në kundërshtim me pretendimet e Trump dhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.

Pas sulmeve të qershorit, Hegseth sulmoi gazetarët në një konferencë për shtyp për, siç pretendoi ai, anshmëri kundër ushtrisë, pa ofruar prova të drejtpërdrejta për shkatërrimin e objekteve iraniane të prodhimit bërthamor.

Ky është vetëm një nga vendimet e diskutueshme të Hegseth. Më parë, ai kishte ndërmarrë “pastrime” brenda Ministrisë së Mbrojtjes, pas rrjedhjes së informacionit në media që tregonte për kaos në Pentagon.

Për më tepër, Hegseth shkaktoi polemika edhe kur ndau plane sekrete për një sulm amerikan në Jemen përmes aplikacionit Signal, në një grup ku gabimisht ishte shtuar një gazetar i gazetës amerikane The Atlantic.