Mercedes mund të blejë motorë nga rivali i tij i përhershëm, BMW-ja

Në botën e automobilizmit, rivaliteti mes dy gjigantëve gjermanë, BMW dhe Mercedes-Benz është ndër më të njohurit. Por sipas raportimeve të reja, këto dy marka luksoze mund të bëhen partnere në një fushë kyçe: motorët me katër cilindra, përcjell TV21.

Marrëveshja e përfolur
Sipas Manager Magazin, Mercedes-Benz është në bisedime me BMW për të blerë motorë katër-cilindrikë duke filluar nga viti 2027. Bëhet fjalë për motorin turbo 2.0 litra B48, një nga agregatet më të përdorura të BMW-së, që aktualisht gjendet pothuajse në çdo model të saj, nga seria 1 e deri te seria 7 në konfigurime të caktuara.

Ky motor prodhohet në Steyr, Austri, një qendër e rëndësishme prodhimi për BMW, dhe është i projektuar në mënyrë fleksibile për t’u përdorur si në platforma gjatësore ashtu edhe transversale, çka e bën ideal për modelet e Mercedes-it në segmentin kompakt dhe mesatar.

Pse jo motorët e Mercedes-it?
Vetëm së fundmi, Mercedes prezantoi motorin e ri me katër cilindra M252, i cili tashmë përdoret në modelin CLA me një sistem mild-hybrid. Megjithatë, burime brenda industrisë thonë se ky motor nuk është i përshtatshëm për teknologjinë plug-in hybrid (PHEV), që Mercedes po planifikon të përdorë gjerësisht në vitet e ardhshme.

Një tjetër pengesë është vendi i prodhimit: M252 prodhohet në Kinë, çka do të sillte tarifa të larta doganore për modelet e destinuara për tregun amerikan. Pikërisht këtu hyn në lojë partneriteti i mundshëm me BMW-në. Sipas Autocar, marrëveshja mund të përfshijë edhe ndërtimin e një fabrike të përbashkët në SHBA, duke shmangur kështu tarifat dhe duke siguruar një zinxhir furnizimi më të qëndrueshëm.

Konteksti strategjik
Ky zhvillim vjen në një moment kur Mercedes po e rishikon strategjinë e vet globale. Në vitin 2021, kompania premtoi se nga viti 2030 do të prodhonte vetëm makina elektrike, por në vitin 2024 e zbuti këtë objektiv, duke thënë se do të mbajë motorët me djegie të brendshme “thellë në vitet 2030”.

Arsyeja kryesore është ngadalësimi i kërkesës për makinat elektrike në tregjet kryesore si Europa, SHBA dhe Kina. Kjo e detyron Mercedes-in të investojë ende në teknologjitë hibride dhe të kërkojë partneritete për të ulur kostot.

BMW, një furnizues me përvojë
Në anën tjetër, BMW ka përvojë të gjatë si furnizues motorësh për marka të tjera. Aktualisht, ajo prodhon motorë për Morgan, Ineos Grenadier, Range Rover dhe është partner kryesor në projektin e Toyota Supra, për të cilën furnizon jo vetëm motorin, por edhe komponentë të tjerë dhe ndan linja prodhimi.

Megjithatë, nëse marrëveshja me Mercedes realizohet, kjo do të ishte hera e parë që dy rivalët kryesorë gjermanë të luksit bashkëpunojnë në një shkallë kaq të gjerë, duke ndarë një element aq thelbësor sa zemra e makinës – motori.

Në pritej të bashkëpunimit
Ende asgjë nuk është zyrtarizuar. BMW ka refuzuar të komentojë kur është pyetur, ndërsa Mercedes nuk ka dhënë ende një përgjigje. Por nëse thashethemet rezultojnë të vërteta, ky do të ishte një nga zhvillimet më të habitshme në historinë e automobilizmit gjerman, ku rivalët e përjetshëm do të ndanin të njëjtin motor nën kapak.

Mercedes pritet ta përdorë këtë motor të BMW-së për modelet: A-Class, CLA, GLA, B-Class, C-Class dhe GLC./tv21.tv