Sulmohet tubacioni rus i naftës së papërpunuar, reagon ashpër Hungaria

Furnizimi me naftë të papërpunuar për Hungarinë sërish është ndërprerë pas një sulmi ndaj tubacionit “Druzhba” në kufirin mes Rusisë dhe Bjellorusisë.

Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto konfirmoi se ky ishte tashmë sulmi i tretë ndaj “Druzhba” në një periudhë të shkurtër.

“Mbrëmë morëm lajmin se tubacioni sërish u sulmua – për herë të tretë brenda një kohe të shkurtër. Dërgesat e naftës së papërpunuar drejt Hungarisë sërish janë pezulluar”, reagoi ai.

Ndërkohë, ulmi u krye nga regjimenti i 14-të i Forcave të Dronëve të Ukrainës, nën komandën e Robert Brovdi (Madyar).

Ky është tashmë sulmi i tretë ndaj objektit në Unecha gjatë muajit gusht.

Sulmet e mëparshme ndodhën më 6 dhe 13 gusht, ndërsa më 18 gusht dronët ukrainas goditën stacionin “Nikolskoye” në rajonin Tambov, duke ndërprerë përkohësisht eksportin e naftës drejt Evropës përmes gazsjellësit “Druzhba”.

Ndryshe, gazsjellësi “Druzhba” mbetet jetik për regjimin e presidentit bjellorus, Alexander Lukashenkos, pasi furnizon me naftë të papërpunuar rafineritë Mozyr dhe Novopolotsk në Bjellorusi.