✍️ Nga Arian Galdini
Heshtja e programuar. Kur algoritmet fshijnë zërin.
Një ditë të bukur pranvere, një mesazh im i qartë, i shkruar me mendim të lirë dhe me ndjenjë njerëzore, u zhduk në heshtje.
Aty kuptova se diçka po ndodhte me faqen time në Facebook…
Më pas zulova se dikush kishte spostuar vendndodhjen e Faqes sime në mes të Oqeanit Atlantik Jugor.
Postimet e mia raportoheshin dhe mbyteshin, errësoheshin dhe humbisnin në terrin e algoritmeve vrastare që dikush i kishte kurdisur për ta shuar krejtësisht çdo komunikim timin në Facebook.
Dhe të gjithë ata që janë miq apo ndjekës në Faqen time e dinë historinë e publikuar, të ndërkalljes sime me Facebook, Metaverse.
Aty e kuptova se betejat nuk bëhen më me votë, me fjalë apo me ide, por me linjat e padukshme të kodit që ndajnë çfarë shihet dhe çfarë zhbëhet. Tani të tresin nga Facebook e çdo rrjet social, pa shpjegim.
Pa paralajmërim. Pa debat. Pa akuzë.
Vetëm heshtje e programuar.
Prej muajsh, profili im dhe faqja ime zyrtare Arian Galdini, janë vendosur në “limbo” algoritmike.
Por unë nuk jam përjashtim. Jam simptomë. Algoritmi nuk kërkon gjykim.
Vetëm zëvendësim.
Këto ditë lexova edhe një lajm: “Albania wants to replace its corrupt government with AI.”
Dhe një deklaratë nga vetë Kryeministri Edi Rama: “Një ditë të gjithë ministritë mund të drejtohen nga algoritme. Pa korrupsion. Pa favoritizma. Pa gabime njerëzore.”
Një narrativë që të bën të ndalesh.
Kjo nuk është thjesht një shaka postmoderne.
Kjo është një përpjekje për të zëvendësuar politikën me performancën, reformën me kodin, përfaqësimin me paraprogramimin.
Një algokraci e re në zanafillë.
Një qeverisje ku “njeriu” është shmangur, sepse besimi është shteruar.
Siç shpjegon John Danaher (2016), algokracia është ajo formë sundimi ku pushteti nuk merret më nga njerëz me fytyrë, por nga struktura të automatizuara pa përgjegjësi.
Një sistem që e kthen qeverisjen në kalkulim, dhe drejtësinë në probabilitet.
Shoshana Zuboff paralajmëron për “kapitalizmin e mbikëqyrjes” ku transparenca teknologjike nuk është më mjet për liri, por një instrument i maskuar i kontrollit.
Ndërsa Evgeny Morozov shprehet qartë: teknologjia nuk zëvendëson dot një sistem të kalbur, pa reformë të vërtetë, vetëm ia fsheh kalbëzimin.
Dhe këtu lind pyetja, kur një regjim i konsumuar nga klientelizmi e korrupsioni, kërkon shpëtim në makinë, a kemi përballë një revolucion apo një kamuflim të perfeksionuar të autoritarizmit digjital?
Shqipëria bëhet simbol.
Një vend i vogël me një ide të madhe, jo për të reformuar sistemin, por për ta outsourcuar vetë shtetin te inteligjenca artificiale.
Kjo është ajo që Byung-Chul Han do ta quante zhdukja e subjektit politik, ku qytetari nuk pyetet më, sepse makineria vendos për të në heshtje.
Ai flet mbi Simulakrin e Qeverisjes, ku shteti nuk reformohet, por fshihet pas aparateve që duken neutrale, por që prodhojnë një tjetër formë të kontrollit, të heshtur, të mençur dhe të padukshëm.
Qytetari zëvendësohet nga një përdorues. Përdoruesi zëvendësohet nga një profil.
Dhe profili menaxhohet nga një sistem që nuk e njeh as nderin, as drejtësinë, as lirinë.
Kjo është beteja jonë.
Dhe beteja ime personale me Facebook dhe Meta nuk është më një çështje individuale, por simptomë e një fenomeni më të madh, një marrëveshje e padukshme mes platformave globale dhe qeverive që duan të mbeten pa përgjegjësi.
Një pakt i heshtur për të ndërtuar një botë ku heshtja ka zë më të fortë se fjala.
Ky është simulakrimi i ri i qeverisjes.
Dhe ne nuk duhet të biem në iluzionin e tij.
Në këtë luftë midis kodit dhe ndërgjegjes, fjala është akt rezistence. Dhe çdo reflektim e denoncim publik si ky është një grimcë zëri e rikuperuar nga mbytja.
A është Shqipëria duke u shndërruar sërisht në eksperimentin e radhës?
A ka pakt mes Edi Ramës dhe Kompanive të AI e Teknologjisë për ta shndërruar Shqipërinë në eksperimentin e radhës?
Ky është thelbi i algokracisë, siç e përkufizon John Danaher (2016), një formë sundimi ku vendimet nuk merren nga qytetarët, por nga sisteme që operojnë përtej vetëdijes njerëzore.
Në Shqipëri, si në shumë vende të tjera, nuk ndodh më censura me ligj.
Ndodh heshtja e shuarja me algoritëm.
Sipas raportit “Privacy Governance Report 2024” të IAPP, edhe pse nuk përmend Shqipërinë, tregohet se algoritmet globale fshehin në mënyrë sistematike përmbajtje me ndërveprim të ulët ose të raportuar.
Në vendin tonë, pa balanca institucionale për këto mekanizma, padukshmëria është më e thellë.
Më 19 korrik 2025, Edi Rama deklaroi:
“Një ditë të gjitha ministritë mund të drejtohen nga algoritme.”
(Anadolu Agency, 2025)
Nuk ishte metaforë. Ishte manifest filozofik për zhbërjen e qytetarit.
Foucault (1978) e quante këtë sundimentalitet (governmentality): pushtet që nuk urdhëron, por strukturon.
Byung-Chul Han (2017) e quajti psikopolitikë (psychopolitics): qytetari nuk hesht nga frika, por vetëpërshtatet për të mos u zhdukur, tretur, tëhuajësuar.
Në këtë sistem, fjala nuk ndalohet.
Ajo thjesht nuk shfaqet, shpërfillet.
Tirania e shpërfilljes shndërrohet në mjet politik e social tërësor në i shtrirë në çdo qelizë e funksion nga Qeveria e Partitë.
Shqipëria, laboratori i totalitarizmit të softuerit?
Në 2023, Shqipëria u bë vendi i parë që përdori ChatGPT për përkthimin e legjislacionit të BE-së. (Euractiv, 2023)
Në maj 2025, qeveria investoi 8.8 milionë euro në Machine Thinking Lab të Mira Muratit, me financim nga Andreessen Horowitz. (The Recursive, 2025)
Në shkurt 2025, firmosi marrëveshje me Presight AI për “qytete të zgjuara” dhe qeverisje të automatizuar. (Tahawultech, 2025)
Kjo është zhvendosje nga politika te protokollet. Nga qytetari te serveri.
Sundimentaliteti algoritmik, siç e përshkruajnë Rouvroy dhe Berns, nuk shfaqet me urdhra, por me parashikim.
Nuk fton në debat. Nuk dëgjon. Nuk përfaqëson.
Ai funksionon në hije, përmes strukturave që sillen si shërbim, por veprojnë si pushtet që nuk sheh dhe nuk dëgjohet.
Në këtë model, qytetari nuk është më bashkëhartues i politikës, por një përdorues që përputhet ose përjashtohet.
Habermas, në analizën e tij mbi kolonizimin e botës së jetës nga sistemi, na paralajmëron se kur argumenti politik zëvendësohet nga “dashboard”-i, atëherë nuk kemi më demokraci, por një menaxhim teknokratik të mendimit.
Marrëdhënia e arsyes me të vërtetën shkëputet dhe vendoset në duart e instrumenteve të matjes dhe mbikëqyrjes.
Agamben, me konceptin e tij të Homo Sacer, e çel këtë mister edhe më thellë: qytetari i epokës algoritmike nuk përjashtohet më me urdhër, por zhduket si prani nga vetë fjalori publik.
Ai nuk është më një figurë politike.
Ai bëhet një siluetë pa zë, një shenjë që nuk lexohet më, një emër që nuk përmendet më.
Gongu i arsyes, rindërtimi i bashkësisë politike
A është kjo demokraci?
Apo një formë e re totalitarizmi të softuerit?
Sipas raportit të NACD (2025), edhe pse i përqendruar te korporatat amerikane, paralajmërohet qartë se një pjesë gjithnjë në rritje e vendimeve me pasoja të mëdha tashmë po merren nga sisteme të automatizuara, pa ndërmjetësim njerëzor.
Kjo logjikë korporative e kontrollit pa përgjegjësi po përshkon ngadalë dhe në mënyrë të padukshme vetë strukturat shtetërore, veçanërisht në vende si Shqipëria, ku mungojnë mekanizmat e kontrollit të balancuar dhe transparencës publike.
Në këtë kontekst, ideja e një strukture të re mbrojtëse merr formë. Mund edhe të quhet psh, Aleanca për Sovranitetin Algoritmik të Qytetarëve,ASAQ, dhe ky është më shumë se një propozim teknik.
Është një nevojë etike për rindërtimin e bashkësisë politike përballë depolitizimit të orkestruar nga algoritmi.
Në thelb të saj qëndron parimi i transparencës absolute.
Çdo algoritëm që ndikon në jetën publike duhet të jetë i dokumentuar, i verifikueshëm dhe i kontrolluar nga një institucion i pavarur kushtetues, një ombudsman digjital, që garanton se vendimmarrja nuk shndërrohet në akt të errët, të padukshëm dhe të papërgjegjshëm.
Ky parim lidhet drejtpërdrejt me Nenin 22 të GDPR-së (Neni 22 i Rregullores së Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR) është një nga dispozitat më të rëndësishme të kësaj rregulloreje, sepse vendos kufizime ndaj vendimeve të automatizuara që kanë efekte ligjore ose ndikim të rëndësishëm tek individi.), i cili ndalon marrjen e vendimeve të rëndësishme vetëm nga sisteme automatike pa ndihmën dhe ndërmjetësimin e njeriut.
Por mbrojtja nuk mjafton me transparencë. Duhet të rikthehet pjesëmarrja e njeriut në çdo procedurë shtetërore që automatizohet. Teknologjia nuk duhet të jetë mur që përjashton, por urë që lejon bashkëvendimmarrje.
Vendimet që prekin të drejtat themelore, si përkthimi i ligjeve, vlerësimi i aplikimeve, apo analizat e të dhënave, nuk mund të delegohen tek një makinë që nuk mban përgjegjësi morale.
Po aq thelbësor është sovraniteti mbi të dhënat.
Shqipëria ka nevojë për një Data Commons të sajën, një hapësirë ligjore, institucionale dhe etike ku të dhënat e qytetarëve nuk janë mall që qarkullon pa mbrojtje, por pasuri publike e ruajtur me ligj. UNESCO, në “Recommendation on the Ethics of Artificial Intelligence” (2021), thekson këtë si një nga shtyllat e së ardhmes etike të teknologjisë.
Dhe së fundi, gjithçka fillon nga fëmijët. Etika e teknologjisë duhet të jetë pjesë e arsimit bazë që nga mosha 12 vjeç.
Të mos mësojmë fëmijët vetëm të klikojnë, të programojnë e të përdorin algoritmet, por t’i mësojmë të kuptojnë drejtësinë, përgjegjësinë dhe pasojën morale të çdo algoritmi.
Në një shoqëri ku gjithçka po matet, përllogaritet dhe zbatohet me efikasitet, vetëm qytetari i ndriçuar mbetet garant i lirisë. Dhe kjo liri nuk duhet të delegohet më.
Shqipëria vendos: Nga patronazhizmi te trollitantizmi
Deri në të shkuarën e afërt, e madje deri në zgjedhjet e 11 majit, Qeveria Rama përdori patronazhistët për kontroll shoqëror.
Sigurisht pa lënë pas, militantët për mobilizim.
Sot, kemi hyrë në një formë të re të organizuar, të pashpallur: Trollët Politikë.
Trollitantizmi është forma më e avancuar dhe e padukshme e dhunës politike që nuk kërkon më as polici, as gjykata, as censurë zyrtare.
Ai shfaqet si ndërhyrje “organike”, por në të vërtetë është kontroll i simuluar i opinionit publik përmes algoritmit, psikologjisë dhe frakturimit emocional të bashkëjetesës demokratike.
Trollitantizmi nuk është thjesht prani e disa profileve abuzive, fallco, të përpunuar e zbatuar nga grupe të posaçme call centerash partiakë, por një mekanizëm sistemik i kontrollit diskursiv, i ndërtuar mbi pesë shtylla veprimi:
1. Raportime të koordinuara për zhdukje algoritmike
Një zë i lirë që flet ndryshe, në vend që të kundërshtohet me argument, raportohet në mënyrë të sinkronizuar, duke e futur në kategorinë e “rrezikshmërisë” sipas logjikës së algoritmit.
Ky raportim në dukje spontan është në fakt një akt i programuar i kontrollit të shfaqjes.
2. Bullizëm i centralizuar politikisht
Nën maskën e qytetarisë digjitale, krijohen dhjetëra profile që sulmojnë me gjuhë të urrejtjes, tallje, ironi shkatërruese, për të shpërbërë figurën publike të kundërshtarit. Ky nuk është më fjalim publik, është teatër dhune digjitale.
3. Diskreditim përmes komentimit të fabrikuar
Në vend të debatit, prodhohen komente artificiale, duke imituar reagim qytetar që nuk ekziston.
Është deepfake i opinionit publik, ku realiteti manipulohet në mënyrë të padukshme, por efektive, duke formuar narrativën dominuese si “vetë populli”.
4. Ngarkesa emocionale të simuluara
Trollët, nuk janë thjesht komentues, ata injektojnë ngarkesë emocionale të fabrikuar për të çorientuar rrjedhën e të menduarit racional.
Ironia, poshtërimi, euforia e falsifikuar shërbejnë për të paralizuar ndërgjegjen kritike të publikut dhe për ta drejtuar atë drejt autopilotit emocional.
5. Engagement si dhunë
Sistemet algoritmike rreshtojnë përmbajtjen sipas ndërveprimit. Trollitantizmi manipulon këtë mekanizëm duke përdorur engagement-in si formë dhune, promovon të paditurin, e zëvendëson të vërtetën me zhurmën, dhe i bën të padukshëm ata që ofrojnë mendim.
Trollitantizmi nuk është thjesht një kapërcim teknologjik, por një transformim epistemologjik, zhvendosja e luftës politike nga terreni fizik në infrastrukturën emocionale dhe algoritmike të shoqërisë.
Trollitantizmi si biopolitikë e re. Nga trupi në ndërgjegje
Siç thoshte Michel Foucault, pushteti i ri nuk ushtrohet mbi trupin, por mbi shkallën e pranueshmërisë sociale.
Trollitantizmi nuk vret fizikisht, por vret reputacionin, ndikon vetë perceptimin e të qenurit i pranueshëm në hapësirën publike.
Kjo është dhunë semiotike.
Nuk shembet më një tribunë, zhduket vetë publiku i padukshëm që do ta dëgjonte.
Fjala nuk ndalohet me censurë.
Fjalia zëvendësohet nga emoji.
Ky është evolucioni i kontrollit:
Nga militantizmi → patronazhizmi→ trollitantizmi…
Në epokën e algoritmit, dhuna politike nuk manifestohet më me shkopinj, censurë klasike apo burgime.
Ajo vjen me një fytyrë të qeshur, në formën e një “komenti civil”, të një “feedback-u social”, apo të një “raportimi komunitar”.
Në të vërtetë, kjo është forma më e sofistikuar dhe e padukshme e kontrollit digjital që pushteti ushtron mbi individin. Unë e kam pagëzuar si trollitantizëm.
Në një kohë kur patronazhistët kishin për detyrë të regjistronin bindjet politike të qytetarëve dhe militantët mobilizonin masat për qëllime elektorale, tani kontrolli ka evoluar në një formë më të hollë, më të padukshme dhe më të pakapshme: trollët.
Trollët politikë nuk janë thjesht profile të rastësishme. Ata janë strukturë, strategji dhe sistem.
Ata nuk flasin nga vetja, por nga një bashkësi algoritmash dhe direktivash të pashpallura, që operojnë brenda një makinerie propagandistike digjitale.
Në vend të fjalës, përdorin ironinë.
Në vend të debatit, përdorin raportimin.
Në vend të përballjes së argumentuar, përdorin komentet e fabrikuara.
Ata nuk reagojnë si individë të lirë, por veprojnë si module të një infrastrukture të padukshme pushteti.
Trollët raportojnë me koordinim matematik. Nuk e lexojnë përmbajtjen për të kuptuar, por për ta zhdukur.
Objektivi i tyre nuk është e vërteta, por zhbërja e çdo zëri që e thyen korin algoritmik të përputhshmërisë.
Kjo është forma më e përkryer e censurës moderne, nuk ndalon një shkrim me ligj, por e zhduk me kod.
Por trollët nuk mjaftohen me heshtjen.
Ata zbatojnë një formë të re dhune semiotike, të sulmojnë përmes ngarkesave emocionale të simuluara.
Një fjali përqeshëse, një meme përulëse, një emoji tallës, të gjitha këto nuk janë të padëmshme.
Janë instrumenta që zhvendosin debatet publike nga racionalja tek instinktualja, nga ideja tek ndjenja, nga qytetari tek turma.
Trollitantizmi nuk ka nevojë të bindë.
Ai bën të pamundur mendimin ndryshe.
Ashtu siç autokracitë dikur i nxirrnin kundërshtarët jashtë loje përmes dhunës fizike, tani kjo ndodh përmes dhunës së engagement-it të manipuluar.
Një postim që analizon, zhduket.
Një koment që tall, ngrihet lart në algoritëm.
E gjithë kjo ndodh pa asnjë urdhër zyrtar, por me një efekt absolut.
Kjo është ajo që filozofia politike moderne do ta quante kolonizimi algoritmik i diskursit publik.
Në vend që të përfshihen qytetarët në formësimin e së vërtetës, i zëvendëson një rrjet automatesh të trajnur për të shkatërruar reputacionin, moralin dhe vullnetin për të qëndruar.
Trollët nuk janë më aktorë të jashtëm.
Ata janë pjesë përbërëse e një regjimi të ri ku fjala e lirë matet, vlerësohet dhe filtrohet në bazë të besnikërisë ndaj strukturës, e jo ndaj lirisë.
Dhe Shqipëria, fatkeqësisht, po bëhet laboratori i kësaj forme të re totalitarizmi të padukshëm.
Në këtë epokë, trollitantizmi, është algoritmizimi i dhunës politike, i fshehur pas etiketimeve “komunitare”, por në thelb një mekanizëm shtypës, që zhduk çdo mendim të lirë nën petkun e “angazhimit demokratik”.
Dhe përballë këtij realiteti të ri, nuk mjafton më vetëm kurajoja e zërit. Duhet edhe vetëdija e strukturës që e hesht atë zë. Duhet që vetë qytetari ta kuptojë se nuk është më vetëm viktimë e një regjimi klasik, por subjekt i një makinerie që vepron përmes algoritmeve, trollëve, emocioneve të falsifikuara dhe profileve që nuk ekzistojnë.
Në këtë luftë të padukshme, mendimi i lirë është rezistenca e fundit.
Dhe fjala që nuk hesht, është gjurma e vetme që mbetet njerëzore në një epokë që kërkon të jetë thjesht e përllogaritur.
Shqipëria është vendi ku ky model po testohet në heshtje si eksperimenti më i avancuar i kontrollit shoqëror të algoritmizuar politikisht.
Shqipëria si thirrje dhe ndërgjegje globale
Nëse algoritmet do të na heshtin pa zë, pa urdhër, pa debat, atëherë nuk do të jemi më qytetarë. Do të jemi vetëm profile të përshtatura për sistemin, të optimizuar për përputhshmëri, të klasifikuar për pasivitet.
Dhe ajo që dikur quhej liri, do të jetë thjesht një opsion që nuk të jepet më.
Por le të pyesim me zë të plotë:
Çfarë po ndodh me Shqipërinë?
A është Shqipëria duke u shndërruar në një eksperiment global të teknologjisë algoritmike, ku kompanitë më të mëdha të AI dhe High Tech, me lejen, bekimin dhe bashkëpunimin e qeverisë aktuale të Edi Ramës, po testojnë kufijtë e një regjimi të ri pa qytetarë?
A është Edi Rama duke e vendosur vendin në dispozicion të një pakti heshtjeje, ku pushteti qeveris përmes botsave, kontrollon përmes algoritmeve dhe mposht çdo mendim të lirë përmes trollëve të koordinuar?
A kemi të bëjmë me një marrëveshje të heshtur, ku në këmbim të aksesit dhe ndikimit në strukturat politike dhe narrative perëndimore, këto kompani i ofrojnë qeverisë shqiptare fuqi politike të ripërtërirë, përmes algoritmash që formësojnë opinionin publik dhe përmes lobimit në kancelaritë ku ndikimi i teknologjisë është tashmë më i fortë se vetë diplomacia?
A jemi dëshmitarë të lindjes së një paktit që vret demokracinë nga brenda, jo me grusht shteti, por me manipulim elektoral algoritmik?
Sepse në këtë realitet, qytetari nuk zgjedh më.
Ai profilizohet. Nuk voton më.
Ai parashikohet. Nuk vendos më.
Ai përshtatet me narrativën që algoritmi ka përgatitur për të.
Zgjedhjet? Janë ngjarje statistikore.
Fushatat? Janë kode që përhapin përmbajtje të personalizuar.
Mendimet? Janë të zhdukshme nëse nuk përputhen me modelin e sjelljes së sistemit.
Ku është qytetari?
Ku janë të drejtat demokratike?
Ku është përgjegjshmëria?
Kush i jep llogari qytetarit nëse zgjedhjet ndodhin brenda një rrjeti të mbyllur algoritmik?
A ka ndërgjegje një bot?
A ka përgjegjësi një algoritëm?
A mund të thërrasim një server në komision parlamentar?
A mund të dënojmë një API?
Dhe më tej:
A janë botsat në gjendje të dallojnë të vërtetën nga manipulimi?
A janë algoritmet të ndershme kur janë të dizajnuara për të shërbyer një pushtet?
A janë trollat thjesht njerëz?
Apo janë sisteme të sinkronizuara për të shkatërruar mendimin ndryshe në çdo cep të rrjetit?
Nëse ka një marrëveshje, të heshtur, të pandriçuar, por të fuqishme, midis një qeverie të korruptuar dhe një teknologjie të gjithëpushtetshme, atëherë ne jemi përpara formës më të re të autokracisë globale, autokracia e partneritetit mes algoritmit dhe pushtetit.
Ky nuk është më një supozim.
Ky është rreziku real që po merr formë.
Dhe Shqipëria, për shkak të përmasave, pozitës gjeopolitike, mungesës së institucioneve të forta, është bërë fusha e testimit të këtij eksperimenti të heshtur.
Nëse nuk ngremë zërin tani, nesër nuk do të kemi më zë për të ngritur.
Nëse nuk e kuptojmë se fuqia ka ndryshuar formë, nga fytyra në kod, nga njeriu në rrjet, nga përfaqësimi në performancë, do të jetojmë si qenie statistikore në një realitet të simuluar të kontrollit total.
Shqipëria nuk është vetëm një vend. Shqipëria është një thirrje universale. Shqipëria është një ndërgjegje që sfidon heshtjen.
Shqipëria është gongu që tingëllon për të gjithë botën.
Dhe ajo zgjedhje, ajo kthesë, ai rebelim etik, bëhet tani.
Për veten.
Për demokracinë.
Për njeriun.
Për lirinë që nuk do të ketë më kuptim nëse fjalët nuk shfaqen, nëse mendimet fshihen, dhe nëse një komb kthehet në prototip të sundimit algoritmik.
Tani është çasti për të mos heshtur më.
Nëse algoritmet do të na heshtin pa zë, pa urdhër, pa debat, atëherë ne nuk do të jemi më qytetarë.
Do të jemi vetëm profile të përshtatura për sistemin.
Shqipëria nuk është vetëm vend.
Është alarm. Është thirrje. Është sfidë.
Dhe ajo zgjedhje bëhet tani, për demokracinë, për lirinë, për njeriun.
Arian Galdini