Lukaku e shmang operimin, por do të mungojë deri në 4 muaj

Lukaku e shmang operimin, por do të mungojë deri në 4 muaj

Romelu Lukaku nuk do t’i nënshtrohet operacionit për lëndimin në kofshë, por pritet të qëndrojë jashtë fushave për tre deri në katër muaj.

Sulmuesi belg u lëndua më 14 gusht gjatë një miqësoreje parasezonale ndaj Olympiacos, teksa u ndal duke mbajtur pjesën e pasme të kofshës së majtë.

Fillimisht u dyshua për një shqyerje serioze që do të kërkonte ndërhyrje kirurgjikale, gjë që do ta linte jashtë për një periudhë edhe më të gjatë.

Pas vizitës te një specialist sot, lajmet dolën pozitive, operacioni nuk është i nevojshëm. Megjithatë, sipas Sky Sport Italia, koha e rikuperimit mbetet rreth tre deri në katër muaj.

Kjo do të thotë se Lukaku nuk do të përfshihet në listën e skuadrës për fazën e parë të Ligës së Kampionëve.

Lajmi gjithashtu mund të ndikojë në vendimin e Napolit për të dalë sërish në merkato këtë verë në kërkim të një qendërsulmuesi të ri.

32-vjeçari ishte një nga figurat kyçe të titullit kampion sezonin e kaluar, me 14 gola dhe 10 asistime në 36 paraqitje në Serie A.