Pse Putini nuk është dhe mund të mos jetë kurrë gati të takohet me Zelenskyn

Marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë të hënën mbi hapin tjetër – një takim dypalësh midis presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky – dukej si diçka e arritur në mënyrë unanime. Pastaj erdhi përgjigja ruse.

“U diskutua ideja se do të ishte e përshtatshme të studiohej mundësia e rritjes së nivelit të përfaqësuesve të palëve ruse dhe ukrainase”, ka thënë ndihmësi i Kremlinit Yury Ushakov, duke informuar gazetarët mbi telefonatën e presidentit të SHBA-së Donald Trump me Putinin.

Asnjë përmendje e asnjërit udhëheqës me emër, apo ndonjë tregues se “përfaqësuesit” mund të ngriheshin në atë nivel.

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, ka shprehur një ton më pajtues në një intervistë televizive shtetërore më vonë të martën. Por ai ka thënë se duhet të ketë përgatitje të mëdha për takim të nivelit të lartë.

“Ne nuk refuzojmë asnjë formë pune – as dypalëshe as trepalëshe. Çdo kontakt që përfshin zyrtarë të lartë duhet të përgatitet me kujdesin më të madh”, është shprehur Lavrov.

Në gjuhën e Kremlinit, kjo do të thotë se ata nuk janë aspak gati të bien dakord për këtë.

Dhe kjo nuk duhet të jetë surprizë.

Kjo është një luftë që Putini e filloi duke njohur në mënyrë të njëanshme një pjesë të tokës ukrainase (republikat e vetëshpallura Popullore të Donetskut dhe Luhanskut) si të pavarura. Ai ka argumentuar se Ukraina është “një pjesë e patjetërsueshme e historisë, kulturës dhe hapësirës shpirtërore (të Rusisë)” dhe ndarja e saj nga Rusia është një gabim historik.

Pra, nëse ky takim ndodh, siç e thotë Orysia Lutsevich, drejtoresha e programit të Rusisë dhe Euroazisë në “Chatham House”, Putini “do të duhet të pranojë dështimin e të ulurit me një president që ai e konsideron si shaka nga një vend që nuk ekziston”.

Gjithashtu, argumentoi ajo, do të ishte një ndryshim i madh në ton që do të ishte e vështirë t’i shpjegohej popullit rus.

“Putini u ka shpërlarë trurin kaq shumë rusëve duke thënë se Zelensky është nazist, se Ukraina është një shtet kukull i Perëndimit… se Zelensky është i paligjshëm, atëherë pse po flet papritmas me të?”, është shprehur ajo.

Kremlini jo vetëm që vë në dyshim rregullisht legjitimitetin e udhëheqësit ukrainas, duke u fiksuar te shtyrja e zgjedhjeve në Ukrainë, e paligjshme sipas ligjit ushtarak, por në memorandumin e tij të fundit “paqeje” kërkon që Ukraina të mbajë zgjedhje para se të nënshkruhet ndonjë traktat përfundimtar paqeje.

Putini dhe zyrtarë të tjerë rusë rrallë i referohen Zelenskyt me emër, duke preferuar në vend të kësaj nofkën e ashpër “regjimi i Kievit”. Nuk duhet harruar që ishte Zelensky ai që udhëtoi për në Turqi për bisedimet e para të drejtpërdrejta midis dy palëve në mesin e majit, por që Putini ka dërguar një delegacion të kryesuar nga një shkrimtar i librave shkollorë historikë.

Shtëpia e Bardhë thotë se planet e takimit Putin-Zelensky janë “në proces” pas takimeve të Trumpit.

Tatiana Stanovaya, bashkëpunëtore e lartë në Qendrën Carnegie Rusia Eurasia dhe themeluese e R.Politik, e cila ofron lajme dhe analiza mbi Rusinë, argumenton se ndërsa Putini nuk e sheh një takim me Zelenskyn si kritik në një luftë që për Rusinë ka më shumë të bëjë me përballjen me Perëndimin sesa me Ukrainën, ai prapëseprapë mund ta pranojë takimin nëse mendon se do të ketë sukses.

“Kërkesat kryesore duhet të jenë në tryezë dhe Zelensky duhet të jetë në rregull të flasë për këtë”, i ka thënë ajo CNN-it në një intervistë të martën.

Deri më tani Zelensky i ka përjashtuar ato kërkesa kryesore, të cilat përfshijnë heqjen dorë nga territori që Ukraina ende kontrollon. Por Putini, argumentoi ajo, e sheh Trumpin si çelësin për ta ndryshuar këtë.

“Trumpi shihet si një mundësues i vizionit rus për zgjidhjen dhe për këtë Shtetet e Bashkuara supozohet të punojnë me Kievin për t’i nxitur ata të jenë më fleksibël, të jenë më të hapur ndaj kërkesave ruse”, ka shtuar ajo.

Stanovaya sugjeroi që Rusia mund të përpiqet ta mbajë SHBA-në në anën e saj duke bërë atë që sugjeroi Ushakov dhe duke sugjeruar një rund të ri bisedimesh në Stamboll, por me një delegacion të nivelit më të lartë, ndoshta duke përfshirë vetë Ushakovin dhe ministrin e jashtëm Lavrov. Por ai nuk do të rrezikojë një “pritë” duke u ulur me Zelenskyn dhe të përballet me refuzim të të gjitha kërkesave të tij.

Trumpi e përfundoi ditën e tij të hënën duke postuar në Truth Social se ai “filloi përgatitjet për një takim … midis presidentit Putin dhe presidentit Zelensky”.

Por, kur u zgjua dhe u lidh me emisionin e mëngjesit në Fox News të martën në mëngjes, dukej se e kishte kuptuar se kjo nuk ishte një marrëveshje e kryer.

“Unë e kam rregulluar në një farë mënyre me Putinin dhe Zelenskyn, dhe e dini, ata janë ata që duhet të vendosin. Ne jemi, ne jemi 7,000 milje larg”, është shprehur Trumpi.

Putini nuk ka asnjë arsye për të pranuar në këtë pikë. Duke mos bërë asnjë lëshim, ai është shpërblyer me një samit të madh në Alaska, heqjen dorë nga një kërkesë e Trumpit për të nënshkruar një armëpushim para bisedimeve të paqes, dhe shpëtimin nga të gjitha ultimatumet e sanksioneve deri më sot.

Ndonëse e kishte ulur pak shkallën e sulmeve të natës me dronë ndaj qyteteve ukrainase gjatë muajit gusht, Rusia i intensifikoi përsëri të hënën në mbrëmje, duke lëshuar 270 dronë dhe 10 raketa. Nëse presioni i Trumpit ndaj Zelenskyt nuk ka dhënë ende rezultatet që dëshiron Moska, gjithmonë ka forcë ushtarake ku mund të mbështetet.

E vetmja kartë e paparashikueshme për Rusinë në këtë pikë është se kë do të fajësojë Trumpi kur kjo përpjekje e fundit për paqe të dështojë.