Është ndarë nga jeta pedagogu dhe muzikologu i njohur, Sabaudin Zhuta, në moshën 77-vjeçare. Lajmin e hidhur e bëri të ditur e bija e tij, Jeta Zhuta, e cila me dhimbje theksoi kujtimin dhe krenarinë që familja dhe miqtë do të ruajnë për të.
“Do ta kujtojmë me mall për momentet e bukura që na dhuroi, për forcën e përkushtimin e tij, dhe për dashurinë që pati për jetën. Kujtimin e krenarinë për të dhe veprat e tij, do t’i mbajmë në zemrat tona përgjithmonë”, u shpreh ajo.
Ceremonia mortore do të zhvillohet të mërkurën, më 20 gusht, në orën 13:00, në varrezat e fshatit Veleshtë, në Strugë.
Sabaudin Zhuta lindi në vitin 1947 dhe njihet si një ndër figurat më të shquara të arsimit dhe kulturës shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Ai kontribuoi për dekada me radhë si pedagog dhe muzikolog, duke lënë gjurmë të thella në edukimin muzikor dhe në ruajtjen e trashëgimisë kulturore.