Drejtoria e Doganave sekuestroi 78 kg duhan për nargjile me vlerë tregu prej 810.698 denarë. Ndaj një personi është ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Publike Themelore kompetente për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale kontrabandë dhe pengim të personit zyrtar në kryerjen e një veprimi zyrtar.
Sipas Drejtorisë së Doganave, rasti u zbulua në hyrje të vendit, në pikën kufitare Bllacë, gjatë kontrollit të një makine të drejtuar nga një shtetas i Maqedonisë së Veriut.
“Personi, me qëllim që t’i shmangej ilegalisht kontrollit doganor, refuzoi ta ndalonte automjetin para doganierit dhe u drejtua me shpejtësi të shtuar drejt rampës, duke e penguar kështu të kryente veprimin e tij zyrtar”, thonë nga Doganat.
Sipas Doganës, kur automjeti u ndalua, ai u përzgjodh për një kontroll të detajuar, gjatë të cilit u gjetën 13 kuti me 312 kanoçe me gjithsej 78 kilogramë duhan për nargjile. Kjo parandaloi një përpjekje për të liruar mallra akcize për të cilat nuk ishin paguar detyrime në vlerë prej 508.048 denarë.
“Lënda iu dorëzua Departamentit të hetimeve të Sektorit për kontroll dhe hetime, i cili, pas veprimeve paraprake hetimore të ndërmarra, ngriti një kallëzim penal në prokurorinë kompetente”, bëri të ditur Drejtoria e Doganave.