Transferimi i Nkunkut tek Bayern Munich mund të dështojë – zbulohet arsyeja pse

Transferimi i Christopher Nkunku drejt Bayern Munich rrezikon të dështojë pasi Chelsea kërkon një shitje të përhershme dhe jo një huazim.

Sipas Christian Falk nga BILD, interesimi i Bayern për Nkunku është në dyshim, pasi kampionët e Bundesligës preferojnë vetëm një marrëveshje huazimi dhe jo një transferim të përhershëm.

Vetë Nkunku nuk është i interesuar për një marrëveshje të përkohshme, raporton Sacha Tavolieri, i cili shton se Chelsea kërkon 40 milionë euro për mesfushorin francez, që ka ende katër vite kontratë në “Stamford Bridge”.

Nkunku ka qenë një zhgënjim i madh për Chelsea që kur u transferua në vitin 2023 nga Leipzig, ku kishte shënuar 70 gola në 172 paraqitje në të gjitha kompeticionet.

Dëmtimet e kanë kufizuar ndjeshëm disponueshmërinë e 27-vjeçarit në sezonin e tij të parë në Londrën Perëndimore, ndërsa në sezonin e dytë ai u përdor kryesisht në Ligën e Konferencës, pasi Enzo Maresca preferoi Cole Palmer për pozitën e “numrit 10”.

Chelsea është e interesuar për yllin e Leipzig, Simons, dhe dëshiron ta transferojë holandezin para mbylljes së afatit kalimtar veror.

Megjithatë, besohet se ardhja e tij varet nga largimi i Nkunku, që do të thotë se klubi nga Londra Perëndimore duhet të përparojë në negociatat me Bayern për të liruar vend për Simons.