Shkruan: Merxhan Jakupi
Filozofi dhe sociologu francez, Gustave Le Bon, në veprën “Psikologjia e popujve dhe e turmave”, popujt i ndan në tre stade: popuj me inteligjencë të lartë, popuj me inteligjencë të mesme dhe popuj me inteligjencë të ulët.
Sipas filozofit Le Bon, popujt me inteligjencë të lartë janë popujt e racës së bardhë, popujt arianë dhe anglosaksonë. Popujt me inteligjencë të mesme janë popujt rusë, kinezë, persianë dhe të tjerë. Po ashtu, popujt e Lindjes, të qytetërimit bizantin dhe islam, janë popuj me inteligjencë mesatare ose të ulët. Në mesin e këtyre popujve përfshihen edhe popujt e Ballkanit. Popujt me inteligjencë të ulët, sipas tij, janë popujt afrikanë dhe popujt e Amerikës Latine.
Si një ilustrim të shkurtër, autori sjell një narrativë, sipas së cilës afërsisht 100 mijë ushtarakë dhe administratorë anglezë mbanin nën robëri rreth 500 milionë hindu
Po ashtu edhe Winston Çerçill, në memoaret e tij, shkruan se popujt që ndodhen në proces të krijimit të identitetit, sidomos popujt e vegjël, merren më shumë me mite, idole dhe kulte. Kjo paradigmë dhe kjo narrativë reflektohet në Evropë, më së shumti te popujt e Ballkanit Perëndimor.
Sipas filozofit slloven Slavoj Zhizhek, këta popuj, ashtu si shumica e popujve të Lindjes, kanë prirje që mbretërit dhe liderët e tyre t’i shndërrojnë në kulte dhe idole. Kjo mund të vërehet në Ballkanin Perëndimor, te popujt e këtij rajoni, ku shumica e prijësve dhe udhëheqësve janë ngritur në nivel idoli, miti dhe kulti.
Këta popuj, shndërrohen në turma që adhurojnë dhe profetizojnë deri në shenjtëri mbretërit, prijësit apo liderët e tyre. Një shembull në këtë drejtim është rasti i serbëve në vitet e 80-ta, kur turmat ndiqnin despotin Sllobodan Millosheviq. Serbët ashtu si edhe popuj të tjerë të rajonit, udhëheqësit i kanë shndërruar në “zotra të vegjël” dhe profetë.
Ky fenomen dhe kjo narrativë është edhe te shqiptarët. Shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, gjatë periudhës komuniste, e ngritën liderin e tyre komunist, Enver Hoxhën, në nivel idoli, miti dhe kulti.
Ndryshe nga popujt e tjerë në Ballkanin Perëndimor, shqiptarët gjithë liderët edhe prijësit e tyre, duke filluar nga Ismail Qemali, Mbreti Zog, Enver Hoxha, po ashtu edhe deri te udhëheqësit e tre dekadave të pluralizmit, shqiptarët i kanë shndërruar liderët e tyre në mite dhe idole. Por, në fund, pothuajse të gjithë këta liderë janë shpallur vazalë, tradhtarë dhe, përfundimisht, janë hedhur në “plehrat e historisë”
PSEUDOSHKENCA E PSEUDOAKADEMIKËVE MAQEDONAS
Popujt e Ballkanit Perëndimor shpesh grindën mes vete. Këta popuj merren me mite të rreme dhe vazhdojnë të shpallin heronj apo profetë të rinj. Shpesh ata grinden mes veti, duke thënë se ishin mur mbrojtës i krishterimit nga hordhitë barbare osmane. Kjo është cinike dhe paradoksale, sepse vetë popujt e Ballkanit, bashkë me osmanët, më parë iu sulën Evropës për ta pushtuar.
Shpesh këta popuj akuzojnë njëri-tjetrin se u janë vjedhur heronjtë dhe personalitetet kombëtare. Kam pasur rastin të lexoj dhe të dëgjoj disa akademikë dhe historianë maqedonas, të cilët përdorin nocione dhe fraza të neveritshme, banale dhe ndonjëherë donkishoteske. Këta akademikë dhe historianë hiperbolizojnë popullin e tyre. Si ilustrim qesharak dhe naive, kam dëgjuar këta akademikë dhe historianë përdorimin e termave “bota maqedone”, “populli maqedonas është racë superior” dhe “gjuha maqedonase është gjuhë biblike”. Këto janë shembuj të narrativave nacionaliste dhe mitologjizuese, të cilat hiperbolizojnë popullin dhe gjuhën në mënyrë të pakushtëzuar dhe shpesh pa bazë historike.
Një akademik maqedonas, para disa vitesh, në një intervistë, theksonte se maqedonasit janë popull i vogël, por se qëndrojnë pas popujve të mëdhenj si anglezët, francezët dhe gjermanët etj. Ky pseudoakademik, duke përmendur disa filozofë të Greqisë së lashtë, tha gjithashtu se populli maqedonas ka dhënë dy nobelistë me origjinë nga Maqedonia e Veriut, Nënë Terezën dhe Ferid Muratin.
Po ashtu, këta pseudoakademikë dhe pseudohistorianë kanë botuar një “libër të bardhë”, ku shprehin urrejtje patologjike, sulme ksenofobike dhe etnocentrike. Këta historianë dhe akademikë kanë shkruar se shqiptarët, para dy shekujsh, kanë ardhur nga Shqipëria e Veriut.
Po t’iu kthehemi edhe njëherë memoareve të Çerçillit, del se popujt në formim të etnitetit kombëtar shpesh përballen me krizë identiteti, siç është rasti i popullit sllavo-maqedonas