ASH: Në Kuvend u konfirmua, kjo Qeveri nuk ka legjitimitet dhe është monoetnike

Sot në Kuvend, institucionin më të lartë ligjvënës në vend që ndryshe njihet si “shtëpia e qytetarëve”, u konfirmua edhe zyrtarisht ajo që ne e themi tani e një vit. Kjo Qeveri nuk ka legjitimitet etnik, nuk i përfaqëson të gjithë qytetarët dhe të gjitha bashkësitë etnike, por është një Qeveri monoetnike qe tenton të shkel dhe diskriminojë të tjerët e veçanërisht shqiptarët.

Gjatë votimit të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor propozimi i kësaj Qeverie mori vetëm 11 vota nga deputetët e bashkësive jo shumicë, ndërsa 18 votuan kundër. Ky është edhe një konfirmim zyrtar se kjo Qeveri nuk ka shumicën e Badenterit dhe se dëshiron të funksionojë pa njërën nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutës në fuqi.

Ju bëjmë thirje partive shqiptare në Qeveri që të largohen nga ky vasalitet, të lexojnë drejtë vullnetin e shqiptarëve dhe të pranojnë faktin se nuk kanë legjitimitetin e duhur për të qëndruar aty ku janë, të nënshtruar e turpëruar për çdo ditë.