CMG-ja organizon në OKB veprimtarinë “Jehona e Paqes” me rastin e 80-vjetorit të fitores së Luftës së Dytë Botërore
Të mërkurën, Grupi Mediatik i Kinës (CMG) dhe Misioni i Përhershëm i Kinës në OKB organizuan së bashku në selinë e OKB-së në Nju-Jork veprimtarinë e shkëmbimeve kulturore “Jehona e Paqes”.
Drejtori i CMG-së Shen Haixiong mbajti një videofjalim në këtë veprimtari, në të cilën morën pjesë përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB Fu Cong, zv.sekretarja e përgjithshme e OKB-së për komunikimin global Melissa Fleming dhe kryetari i Fondacionit të Trashëgimisë së Aviacionit Kinë-ShBA, Jeffrey Greene.
Në veprimtari ishin të pranishëm mbi 100 veta, duke përfshirë diplomatë nga më shumë se 30 vende, zyrtarë të OKB-së dhe pasardhës të veteranëve të “Tigrave Fluturues”.
“80 vjet më parë, popujt e vendeve të ndryshme anembanë botës, duke përfshirë Kinën, Bashkimin Sovjetik, ShBA-në dhe vende të tjera aleate, u bashkuan për të luftuar kundër armikut të përbashkët të njerëzimit, duke arritur fitoren përfundimtare të Luftës Antifashiste Botërore,” theksoi përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB Fu Cong. “Në këtë luftë, populli kinez luftoi për 14 vjet në fushëbetejën kryesore lindore dhe mposhti militaristët japonezë me guximin e palëkundur dhe sakrificën e pamasë të 35 milionë viktimave, duke dhënë kontribut vendimtar për triumfin e njerëzimit kundër fashizmit.”
Më tej ai u shpreh: “Populli kinez nuk luftoi vetëm. Ne morëm mbështetje të vlefshme nga bashkësia ndërkombëtare. Falë solidaritetit të vendeve dhe popujve paqedashës, kemi shkruar së bashku një kapitull të shkëlqyer në historinë njerëzore.”
Drejtori i CMG-së Shen Haixiong u shpreh se CMG-ja do të njoftojë në shumë gjuhë mbi veprimtaritë me rastin e 80-vjetorit të fitores së Luftës së Dytë Botërore në të gjitha platformat e saj, duke transmetuar dokumentarët “Fitore”, “Malet dhe lumenjtë dëshmojnë fitoren”, “Dorëzimi”, “Misioni i përbashkët” e vepra të tjera cilësore që shfaqin historinë e Luftës së Dytë Botërore.
Zv.sekretarja e përgjithshme e OKB-së Melissa Fleming shprehu vlerësimin e lartë të OKB-së për rolin e Kinës si një vend i madh i përgjegjshëm në mbrojtjen e multilateralizmit dhe në promovimin e bashkëpunimit e të zhvillimit global. Ajo i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të forcojë ndihmën humanitare dhe të punojë së bashku për të përballuar sfidat globale si ndryshimi klimatik dhe siguria ushqimore.
Nga ana e tij, kryetari i Fondacionit të Trashëgimisë së Aviacionit Kinë-ShBA Jeffrey Greene vuri në dukje që populli kinez mbështeti fushëbetejën kryesore lindore të Luftës Antifashiste Botërore, duke bërë një sakrificë të madhe kombëtare. Qëndresa e vendosur e forcave ushtarake dhe civile kineze jo vetëm dobësoi në mënyrë efektive fuqinë ushtarake të agresorëve japonezë, por edhe kufizoi vendosjen e tyre strategjike.
Ai gjithashtu i bëri homazh bashkëpunimit Kinë-ShBA në kohën e luftës, veçanërisht “Tigrave Fluturues”, duke e quajtur atë një lidhje të qëndrueshme midis dy popujve.
Deri tani, “Jehona e Paqes” është raportuar dhe transmetuar nga 1 330 media kryesore të mbi 50 vendeve e rajoneve, përfshirë ShBA-në, Britaninë, Italinë, Gjermaninë, Spanjën, Japoninë, Korenë e Jugut, Emiratet e Bashkuara Arabe, Indinë dhe Malajzinë.
Seria e veprimtarive të shkëmbimeve kulturore “Jehona e Paqes” planifikohet të zhvillohet me radhë në Rusi, Kenia, ShBA, Korenë e Jugut, Emiratet e Bashkuara Arabe, Meksikë dhe Britani.