Nga përballja Arsimi–Struga te dilema e Shkupit për stadiumin, ja si pritet të rrjedhë fundjava e futbollit në Maqedoninë e Veriut, njofton Telegrafi.
Duke nisur nga nesër (15.08.2025), në futbollin elitar të Maqedonisë së Veriut do të zhvillohen ndeshjet e javës së dytë, e cila pritet të sjellë përballje mjaft interesante.
Java e dytë do të hapet me një superderbi shqiptar, ku protagonistë do të jenë futbollistët e Arsimit dhe Strugës – dy skuadra që kanë treguar se këtë sezon kanë ambicie të qarta. Arsimi, debutues në këtë rang, arriti të marrë një pikë në Kumanovë ndaj Bashkimit, ndërsa Struga e nisi mbarë sezonin duke mposhtur në shtëpi Makedonija Gj.P dhe aktualisht mban pikë të plota.
KF Arsimi – Armin Besagiç
Takimi tjetër i së premtes zhvillohet në Kavadar, ku Tikveshi pret Vardarin. Vendasit morën një pikë në barazimin pa gola ndaj Rabotniçkit, ndërsa Vardari debutoi me fitore bindëse ndaj Pelisterit në Shkup.
Të shtunën në program është kampionia aktuale, Shkëndija, e cila udhëton për t’u përballur me Makedonija Gj.P. Tetovarët vijnë në këtë sfidë pas humbjes së thellë ndaj Qarabagut në Baku dhe një udhëtimi të lodhshëm drejt vendlindjes. Po të shtunën, Bashkimi i Kumanovës do të jetë mysafir i Rabotniçkit në Shkup.
E diela sjell një përballje të vetme: Shkupi – Sileksi. Ish-favoriti i viteve të fundit, Shkupi, këtë sezon po përballet me shumë probleme dhe madje nuk është funksional as në rrjetet sociale. Ende mbetet e paqartë se ku do të luhet kjo ndeshje, pasi stadiumi i tyre në Çair nuk ka plotësuar kushtet për instalimin e sistemit VAR.
Java do të mbyllet të hënën me duelin Brera – Strumica. Të gjitha ndeshjet e javës së dytë janë caktuar të luhen në ora 17:00.