Blerim Bexheti me tone të ashpra ndaj Izet Mexhitit: Heshtni për UÇK-në, ndërsa ia puthni dorën padronit tuaj
Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Blerim Bexheti, ka reaguar ashpër ndaj zv.kryeministrit Izet Mexhiti, duke e akuzuar për heshtje përballë deklaratave fyese të liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, lidhur me Luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK).
Në një postim publik, Bexheti shprehet se sjellja e Mexhitit nuk ka asnjë lidhje me idealizëm apo patriotizëm, por është një akt i pastër nënshtrimi për interesa personale.
“Nuk ka poshtërsi më të madhe se të flasësh për Luftën e UÇK-së të vitit 2001, ndërsa puth dorën e padronit që atë luftë e quajti ‘të padrejtë’ dhe ‘qyqare’.
Ky nuk është as idealizëm, as patriotizëm – kjo është shitje e pastër e nderit për një karrige të vogël në tavolinën e pushtetit; kjo është thjesht vazalitet.
Siç thotë populli: ‘Vazali nuk ulet në tryezë, por në prag të derës dhe flet vetëm kur i lejon padroni,’” ka shkruar Bexheti.